Flash News

Rajoni

Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare: Në qendër të diskutimeve situata e serbëve në Kosovë dhe Bosnjë

Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thirrur këtë të enjte një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në një kohë tensionesh të shtuar në rajon. Mbledhja u zhvillua në Beograd dhe, sipas deklaratave zyrtare, fokusi kryesor ishte siguria e serbëve në Kosovë dhe në Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë tha se në takim është diskutuar edhe për një dokument të përbashkët të hartuar nga Gjermania dhe Franca, i cili, sipas tij, ndërlikon më tej pozicionin e Republikës Srpska brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ky dokument e ndërlikon pozicionin e Republikës Srpska. Seanca përcaktoi udhëzime, caktoi detyra dhe dha orientime se si Serbia do ta trajtojë këtë,” – deklaroi Shefi i Shtabit, pa dhënë më shumë detaje rreth përmbajtjes së dokumentit.
Në lidhje me Kosovën, autoritetet serbe pretendojnë se serbët lokalë po përballen me “hapa të njëanshëm” që, sipas tyre, kërcënojnë pakicat.

“Ne jemi dëshmitarë çdo ditë, pa precedent, të zbatimit të hapave të njëanshëm që kërcënojnë pakicat, në këtë rast serbët,” – tha zyrtari i lartë ushtarak.
Takimi vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, ku dinamika politike dhe presioni ndërkombëtar janë rritur ndjeshëm, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe tensionet në Bosnjë, ku shteti federal përballet vazhdimisht me sfida ndaj integritetit të tij nga Republika Serbe.

Analistët politikë në Beograd e kanë cilësuar këtë mbledhje si një përpjekje për të konsoliduar pozicionin e Serbisë, para çdo vendimi të mëtejshëm diplomatik apo ndërkombëtar që mund të vijë nga Perëndimi lidhur me këto çështje.

Të fundit