Flash News

Rajoni

Vuçiç mesazh trajnerit serb: Shkoni në Tiranë dhe fitoni ndaj Shqipërisë

Vuçiç mesazh trajnerit serb: Shkoni në Tiranë dhe fitoni

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një ditë pas pjesëmarrjes në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë, ka mbajtur një tubim me partinë e tij në qytetin e Nishit, ku i është drejtuar me një kërkesë të veçantë trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç.

Gjatë fjalës së tij, Vuçiç e vlerësoi publikisht Stojkoviçin, duke i kërkuar që të udhëheqë kombëtaren serbe drejt një fitoreje në ndeshjen kundër Shqipërisë që do të zhvillohet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

“E pashë pak më parë dhe tani shoh se është përsëri këtu. Ju lutem, duartrokisni fort trajnerin serb, Dragan Stojkoviç. Legjendën e Nishit, i cili nuk është fshehur si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne sonte. Në qershor ose korrik, ai luan atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata”, u shpreh Vuçiç para mbështetësve të tij.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë është pjesë e Grupit K në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Përballja e shumëpritur do të zhvillohet në orën 20:45 në Tiranë dhe pritet të tërheqë vëmendje të gjerë, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për ngarkesën emocionale dhe politike që shoqëron historikisht takimet mes dy kombëtareve.

 

Të fundit