Flash News

Rajoni

Vuçiç pas takimit me diplomatët e BE-së: Njohje të Kosovës nuk do të ketë

Vuçiç pas takimit me diplomatët e BE-së: Njohje të

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën.

Vuçiq i bëri këto komente në një postim në Instagram, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Vuçiq, po ashtu, tha se është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

Në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova përkufizohet si pjesë e këtij vendi.

Diplomatët evropianë qëndruan të premten edhe në Kosovë, ku takuan kryeministrin Albin Kurti.

“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Lajçak pas takimit me Kurtin.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i këtyre vizitave është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Me ndërmjetësimin e BE-së, dy palët janë në negociata qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatim i tyre në terren ka ngecur.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit po atë ditë, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Macron dhe Scholz, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut./ REL

Të fundit