Flash News

Rajoni

Vuçiç: Votuam nën presion për pezullimin e Rusisë nga OKB

Vuçiç: Votuam nën presion për pezullimin e Rusisë

Rusia u pezullua dje nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut nga OKB. Propozimi i udhëhequr nga SHBA-ja mblodhi 93 vota pro, ndërsa 24 vende votuan kundër dhe 58 vende abstenuan. 

Pjesë e vendeve që votuan pro pezullimit ishte edhe Serbia. Presidenti Aleksandar Vuçiç tha në një intervistë për RTS, se kanë qenë nën presion për të votuar pro pezullimit. Vuçiç tha se Serbia kishte dashur të abstenonte votimin.

“Vendimi ynë ka qenë që të jemi të përmbajtur, dhe pastaj ju vijnë presione të panumërta, të rënda që nuk kanë të bëjnë me anën personale. Askush nuk më ka ardhur dhe nuk më ka thënë, as më ka shantazhuar, por po shantazhojnë vendin… Thoshin ‘A e dini se sot apo nesër do të vendoset nëse do të përjashtohemi nga pakoja e sanksioneve  për naftën”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se kërcënimi me sanksione dhe ndalimi drejt rrugës evropiane, mbetet një pengesë për Serbinë duke marrë shkas nga qëndrimi i Beogradit ndaj Moskës.

“Serbia është në rrugën evropiane. Ne jemi një shtet neutral ushtarakisht, por nuk jemi një shtet politikisht neutral, ne jemi në rrugën evropiane. Më pëlqen Perëndimi, e dua shumë Rusinë, por Serbinë e dua më së shumti në botë”, u shpreh Vuçiç.

Të fundit