Flash News

KRYESORE

Rama del “bllof”, falen pasuritë e ish-zyrtarëve dhe politikanëve: Kategoritë që do përjashtohen me ligj nga amnistia fiskale dhe penale

Rama del “bllof”, falen pasuritë e ish-zyrtarëve dhe

Nga amnistia e madhe fiskale që deklaroi kryeministri Rama në fund të muajit maji dhe që më pas u hartua edhe një dokument, duket se do të përfitojnë edhe ish-zyrtarët e lartë dhe politikanët, të cilët kanë tri vite që nuk janë më në detyrë.

Në nenin gjashtë thuhet se nga kjo amnisti përjashtohen vetëm ata zyrtarë që kanë qenë subjekte të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive”, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nënpunësve publikë, i ndryshuar”, në tre vitet e fundit. E thënë ndryshe, të gjithë ata zyrtar me pozicione ministra, deputetë, drejtorë apo zyrtarë të nivelit të lartë që kanë mbi tre vjetë që nuk i kanë më këto detyra, do të mund të përfitojnë nga amnistia e madhe e shpallur nga qeveria.

“Subjektet të cilët brenda tri viteve të fundit kanë qenë mbajtës të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të nenit 3 të ligjit Nr. 9049, datë 10.04.2003 ‘Për deklarimin dhe kontrokkin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nënpunësve publikë, i ndryshuar’, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në pikën 2 të nenit gjashtë të draftit të amnistisë që ka siguruar gazeta “Panorama”.

Ky specifikim në dokument shkon përkundër asaj që kryeminitri Rama deklaroi gjatë një komunikimi me gazetarët, ku u shpreh i sigurt se nuk do të ketë asnjë lloj amnistie për politikanët dhe zyrtarët e lartë shtetëror në 30 vite pluralizëm politik. Amnistia fiskale pritet të zbatohet nga 1 janari i vitit 2021, deri në 31 dhjetor 2021, raporton Politiko.al

Ajo do të ofrojë mundësinë për të gjithë ata që do të vetëdeklarojnë brenda muajve të parë, që të mund të paguajnë vetëm 4% të shumës së deklaruar. Për ata që do të mund të vetëdeklarojnë në 4-mujorin e dytë, do të tatohet 7% e shumës së deklaruar dhe për ata që do të presin 4-mujorin e fundit, shuma që do t’ju tatohet do të jetë 10% e shumës së deklaruar. Sipas përcaktimeve në draft, njësia e posaçme e krijuar me këtë ligj, bankat e nivelit të dytë apo institucionet financiare, në cilësinë e ndërmjetësit, transferojnë të ardhurat e mbledhura nga pagesat e tatimit të posaçëm në burim në kuadër të këtij ligji, në llogaritë e thesarit të Ministrisë së Financave.

Të fundit