Flash News

KRYESORE

Rama dhe Manastirliu inspektojnë punimet në spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme: Nxjerr jashtë funksionit 6-katëshin

Rama dhe Manastirliu inspektojnë punimet në spitalin e ri të

Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar sot nga afër punimet e spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Projekti me një kosto prej 14.2 milionë euro, do të nxjerr jashtë funksionit 6-katëshin dhe pritet t’ju sjellë përfitime në shërbim dhe cilësi 109 mijë pacientëve.  Ministrja Manastirliu theksoi se godina e re me 7-kate është parashikuar të përfundojë deri në shtator të 2021-shit.

“Ne duam ta përfundojmë para afatit. Do jetë një spital me standarde europiane. Me përfundimin e tij del jashtë funksionit gjashtëkatëshi dhe qendra e biostimulimit. Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme do të ketë në total 271 shtretër, 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim. Ky spital do të jetë me 7 kate, nga të cilët një nëntokë dhe me dritë natyrale në ambientet e brendshme”, tha ajo.

Godina e re e spitalit të sëmundjeve të brendshme do të lidhet me godinën e Urgjencës Mjekësore me ura në të gjitha nivelet, duke mundësuar integrimin e shërbimeve, centralizimin dhe optimizimin e tyre, si dhe rritjen e efiçencës së burimeve njerëzore. Ambienti lidhës ndërmjet dy godinave do të përdoret për pritjen e vizitorëve dhe pacientëve ambulator. Ky investim madhor përfshin edhe mobilimin me pajisje mjekësore dhe aparatura mjekësore.

Kryeministri Rama në fjalën e tij gjatë inspektimeve u shpreh se “spitali i ri është një tjetër hallkë e zinxhirit të investimeve tona transformuese të QSUT, të cilat po e kthejnë hap pas hapi kompleksin më të madh spitalor të Shqipërisë, në një hapësirë shërbimesh shëndetësore të rangut të parë në rajonin tonë”.

Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, por që së bashku me shërbimet ekzistuese ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

Risi është krijimi për herë të parë i një spitali ditor me 60 shtretër që do të lehtësojë shërbimin në kohë dhe me cilësi për pacientët, si dhe do të reduktojë shfrytëzimin e shtratit edhe për trajtime për të cilat pacientët nuk e kanë të nevojshëm ditë qëndrimin në spital. Investimet në Qendrën Spitalore vijojnë me ndërtimin e Spitalit të ri të Pediatrisë në QSUT (9 mln euro). Mbështetja për sektorin e shëndetësisë është e shtrirë jo vetëm në Tiranë, kantieri i shëndetësisë vijon me investimet për ndërtimin e Maternitetit të Beratit, ndërtimin e Maternitetit të Lezhës, rehabilitimin e Pediatrisë së Durrësit, ndërtimin dhe rehabilitimin e Spitalit të Kukësit.

Të fundit