Flash News

KRYESORE

Rama dhe Meta sërish në 'skenën e teatrit'; 20 vite më parë Presidenti përdori policinë kundër artistëve

Rama dhe Meta sërish në 'skenën e teatrit'; 20 vite

Çështja e artistëve dhe Teatrit Kombëtar në vitet 2000-2001 konsiderohet në historinë politike shqiptare të tranzicionit si fillimi i bashkëpunimit të vërtetë midis Ilir Metës dhe Edi Ramës. Ishte ky moment që shfaqi në skenën e politikës një çift të ri te e majta, që do i kundërvihej liderit të socialistëve, Fatos Nanos. Gati 20 vite më pas, kjo çështje është sërish në duart e dy personazheve, Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët përgjatë këtyre dekadave janë bashkuar dhe divorcuar disa herë.

Tashmë që projektligji për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar kaloi në Kuvend me 75 votat e deputetëve të kryeministrit Rama, është presidenti i Republikës, Meta, që duhet të marrë vendimin për dekretimin ose jo të ligjit. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë bërë thirrje që ta kthejë ligjin e shumë kundërshtuar.

Por si ka vepruar Ilir Meta në një situatë të ngjashme kur ishte kryeministër i Shqipërisë dhe Edi Rama mbante postin e ministrit të Kulturës?

Rama kishte filluar konfliktin me artistët që në vitin 1999 kur promovoi reformën e tij për teatrin si dhe ristrukturimin e  pagesës së artistëve. Ishin artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit që e kundërshtuan të parët reformën e ministrit të Kulturës dhe më pas iu bashkuan edhe ata të Teatrit Kombëtar.

Në janar të vitit 2000, kryetari i PS, Fatos Nano, i kërkoi kryeministrit Ilir Meta që të shkarkonte Edi Ramën nga posti i ministrit të Kultuës. Nano u rreshtua në krah të artistëve që kishin filluar grevën kundër planeve të ministrit, por Meta zgjodhi të kundërtën. Ai u bashkua me Ramën dhe përdori policinë për të shpërndarë me dhunë grevën e artistëve. Kryeministri i dha gjithashtu mbështetje Ramës në Kuvend për të kaluar për miratim ligjin për teatrin.

Por pavarësisht bashkëpunimit, Meta dhe Rama nuk kishin nën kontroll Grupin Parlamentar të PS dhe disa deputetë socialistë propozuan amendime që bllokuan planet e ministrit të Kulturës.

Sot, marrëdhëniet e Metës me Ramën nuk janë ato të fillimit të mijëvjeçarit të dytë, ndonëse pozitat ku ata ndodhen janë të ngjashme. Meta ka sërish mundësinë të pozicionohet, por këtë herë kërkesa për ‘rrëzimin’ e Ramës nuk po i vjen nga kryetari i partisë, por nga aktorët dhe qytetarët e këtij vendi, të cilët 20 vite më parë i shpërndau me dhunën e policisë./Politiko.al

Të fundit