Flash News

KRYESORE

Rama dhe Meta spiunojnë njëri-tjetrin. LSI: Po fshihen mungesat për vota. PS: Po shiten teza për vota

Rama dhe Meta spiunojnë njëri-tjetrin. LSI: Po fshihen mungesat

Përplasja mes PS dhe LSI ka nxjerrë në dritë një skandal të vërtetë që po ndodh me maturën shtetërore. Siç do vit elektoral, maturantët janë gjithnjë objektiv i rëndësishëm partive politike, por situata e këtij viti ka ndikuar në degjenerimin publik të maturës shtetërore.

Fillimisht ishte kryeministri Edi Rama ai që tha se maturantët po gënjehen me teza provimesh të kopjuara në mënyrë që të japin votën e tyre dhe më pas deklarata u konfirmua edhe nga ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Menjëherë pas këtyre deklarate, disa portale pranë qeverisë nxorrën lajmin se ishte LSI-ja ajo që po u sekuestron kartat e identitetit nxënësve në këmbim të tezave të provimeve.

Ndërkohë, LSI është përgjigjur nëpërmjet deputetes Kejdi Mehmetaj, e cila në replikën me Nikollën, zbulon se në gjimnazet e Tiranës dhe ato të qyteteve të tjera nxënëseve janë duke u premtuar fshirjen e mungesave në këmbim të votës për PS-në.

“Dhe e fundit e nderuar zonjë, më mirë se unë e dini që asnjëri prej nesh në LSI nuk mund të premtojë teza apo nota provimesh, pasi ky është një proçes që e kontrolloni vetëm ju të PS. Sikundër po ju paralajmëroj se do të kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor për të gjithë rastet e drejtuesve të gjimnazeve të Tiranës apo dhe qyteteve të tjera që premtojnë fshirjen e mungesave në këmbim të votës për partinë tuaj”, shprehet Mehmetaj.

*Në foto: Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla (PS); Zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj (LSI); Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina (PD)

Të fundit