Flash News

KRYESORE

Rama: Falë PPP-ve, qytetarët nuk do të heqin të këqija të mëdha nga infeksionet

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit, që sipas tij nuk është aspak një gjynah i kësaj qeverie, por një domosdoshmëri për të ulur infeksionet që pacientët merrnin gjatë operacioneve në spitale.

Në Facebook ai shkroi se Partneritetet Publike Privat (PPP) janë të domosdoshme, e falë investimit privat është bërë e mundur që të garantohen instrumente mjekësorë të cilësisë së lartë dhe sterilizim të standardeve evropiane.

“Ju kanë rrokanisur kokën me dokrra shurdhuese për PPP-të (Partneritetet Publike Privat) dhe e keni dëgjuar shpesh edhe “koncesionin e sterilizimit”, si një gjynah të madh të kësaj qeverie të poshtër, por e vërteta është se deri dhe dje jo 30 a 50 vjet më parë, po dje fare pak vite më parë, mjerë kush shtrihej në një sallë operacioni se ia hapnin barkun me pinca të kohës së dashurisë shqiptaro kineze, mbuluar me çarçafë të “sterilizuar” për të larë gojën, në operacione që këtu në Shqipërinë tonë pasoheshin me një nga përqindjet më të larta të infeksioneve post-operatore në planet.

Ndërsa sot, falë PPP-së së instrumenteve mjekësorë dhe sterilizimit, përqindja e infeksioneve post-operatore ka rënë në përqindjen normale të mesatares evropiane, si rezultat i investimit privat, që ka garantuar instrumente mjekësorë të cilësisë së lartë dhe sterilizim të standardeve evropiane”, shkroi Rama në profilin e tij.

Ai mendon se opinioni publik është kërdisur pa pushim me gënjeshtrën se PPP-të janë paratë tuaja që i dhurohen privatit. "Por jo, në partneritet publik privat janë paratë e privatit që investohen për shërbime shumë më të mira për ju, ndërsa shteti ia shlyen privatit me këste në vite ato para dhe kur janë shlyer të gjitha, investimet kthehen në pronë të shtetit”, vazhdoi ai.

Rama theksoi se tani nëse qytetarët do të duhet që të bëjnë ndërhyrje kirurgjikale falë PPP-ve nuk do të heqin të këqija të mëdha nga infeksionet.

Të fundit