Flash News

KRYESORE

Rama intervistë për REL: Zgjedhjet do mbahen më 30 qershor, ata që e pengojnë do luajnë me zjarrin

Rama intervistë për REL: Zgjedhjet do mbahen më 30 qershor, ata

Kryeministri Edi Rama është shprehur sërish i prerë se zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor, ndonëse presidenti ka shfuqizuar dekretin, tashmë i përfshirë edhe në Fletoren Zyrtare.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rama flet edhe për përgjimet e publikuara nga ‘Bild’, si dhe mbi procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Intervista:

Shqipëria ka hyrë në një krizë institucionale dhe politike për shkak të mosmarrëveshjes mes jush dhe presidentit të vendit për datën e zgjedhjeve, por edhe nga opozita që proteston që nga fillimi i vitit. Si do ta ruani stabilitetin politik në vend?

Është zgjidhja që mbështet të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe shumicën e shqiptarëve.  Zgjedhjet nuk janë të politikanëve por të popullit, populli zgjedh në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta. Politikanët kanë detyrë të paraqiten para popullit, kush nuk paraqitet jo vetëm që nuk fiton por paguan një kosto të madhe politike.

Më 30 qershor ju insistoni të shkoni në zgjedhje, ndërsa 26 bashki nuk shkojnë në 30 qershor, a mendoni se mbahen zgjedhje në gjysmën e Shqipërisë?

Zgjedhjet do mbahen në gjithë Shqipërinë, ata që përpiqen  ta pengojnë janë gabim, luajnë me zjarrin sepse djegin veten në raport me ligjin. Zgjedhjet kanë një administratë zgjedhore, gjykatë zgjedhore e bazuar edhe në opinionin e kahershëm të Gj. Kushtetuese cdo probleme me zgjedhjet adresohet në gjykatën speciale zgjedhore, ndaj janë përpjekje të dëshpëruara e skano shans të përmbysin bazën e rregullave demokratike. Unë insistoj të respektohet kushtetuta dhe e drejta e popullit për zgjedhjet.

Ku do vërtetohet vlefshmëria e këtij vendimi, kur presidenti ka shfuqizuar dekretin dhe Gjykata Kushtetuese nuk funksionon?

Gjykata kushtetuese e ka dhënë opinionin e saj vite më parë dhe ka nënvijëzuar se akti i presidentit janë akte individuale që kur lidhen me zgjedhjet adresohen në gjykatën përkatëse që është Kolegji Zgjedhor. Sa i përket aktit të presidentit për zhdekretimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm dhe përbën shkelje të rëndë, për të cilën ai është në një proces shkarkimi.

Gazeta gjermane Bild ka publikuar disa përgjime ku të përfshirë janë zyrtarë të PS, ju si kreu i PS a jeni i gatshëm të përballeni me këto akuza?

Pse këto përgjime nuk janë përdorur për të bërë një hetim shterues, pse janë mbajtur mbyllur e janë dërguar te partia e opozitës dhe pse ajo këto i dërgon në Gjermani për ti paraqitur si zbulime gjermane. Janë përgjime të prokurorisë shqiptare që janë keqpërdorur duke thyer sekretin hetimor, përgjimet janë kthyer nga një bazë për të hetuar në ushqim për të helmuar njerëzit dhe ndërkombëtarët në prag të çeljes së negociatave sepse me këtë akt nis kapitulli i drejtësisë.

Rreziku që ky plan antikombëtar të funksionojë është real sepse e gjithë kjo që ndodh ushqen ata që s’duan të na ndihmojnë.

A keni një ofertë për opozitën për zgjidhjen e krizës?

Kam insistuar për dialog gjithmonë, e vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe afatet kur populli duhet të marrë fjalën, gjithçka tjetër është e negociueshme.

Të fundit