Flash News

KRYESORE

Rama kërkon justifikim për spastrimin e administratës: thirrje qytetarëve për denoncimin e zyrtarëve

Rama kërkon justifikim për spastrimin e administratës: thirrje

Kryeministri Edi Rama kërkoi dje nga qytetarët që të ndajnë eksperiencat negative të tyre në zyrat e administratës shtetërore. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se do të ishte i pranueshëm edhe denoncimi me emra drejtuesish. “Shumëkush prej jush ka të paktën një eksperiencë negative, të jetuar apo të dëgjuar nga familjarë a miq, në zyrat e shtetit. Do t'i isha falenderues kujtdo prej jush që do ta ndante një eksperiencë të tillë këtu. Nëse do të kishte edhe emra konkretë drejtuesish a punonjësish të zyrës përkatëse, edhe më mirë akoma”, nënvizoi ai. Ndërkohë, Rama theksoi se për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme, është shumë e rëndësishme që çdo njeri të ngrejë zërin. Sipas tij, Platforma e Bashkëqeverisjes do të sigurojë lidhjen direkte mes qytetarëve dhe kabinetit qeveritar. “Për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme, është shumë e rëndësishme që çdo njeri i zakonshëm, të ngrejë zërin kur del i pakënaqur apo ende më keq, i fyer nga një zyrë shteti. Platforma e Bashkëqeverisjes “Shqipëria Që Duam”, e cila do t’ju jepet për gjykim në formë paraprake në fillim të javës, do të sigurojë lidhjen tuaj direkte me kabinetin qeveritar, edhe për rastet e eksperiencave negative në zyrat e shtetit”, u shpreh Rama.Sipas kryeministrit, denoncimet e qytetarëve për eksperiencat e gabuara në shtet, do jenë busull orientimi për reformën në zyrat e shtetit.

Ndërkohë grupi me 5 anëtarë i ngritur nga kryeministri Edi Rama për pastrimin e administratës nga militantët, ka filluar punë. Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla dhe Ogerta Manastirliu kanë zbritur në terren, për të parë situatën nëpër të gjitha institucionet. Brenda muajit të gjitha ministritë, drejtoritë dhe agjencitë shtetërore do të verifikohen për çdo punësim që kanë bërë dhe në fund të korrikut raporti do të jetë në tryezën e kryeministrit Edi Rama.

Të fundit