Flash News

KRYESORE

Rama konfirmon përplasjen me Dritan Lelin: Debatova për të vënë pikat mbi ‘i’, duhet të punojë më shumë

Rama konfirmon përplasjen me Dritan Lelin: Debatova për të

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se me kreun e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka patur një debat pak ditë më parë, ashtu siç edhe u përfol në media.

Në një intervistë për mediat lokale nga vilat qeveritare në Vlorë, Rama sqaroi se me Lelin ka patur një debat lidhur me pakënaqësitë e disa subjekteve private në Zvërnec, ndërsa mungoi zgjidhja për ta nga ana e bashkisë.

Nisur nga ky rast, Rama nuk kurseu edhe kritikat ndaj kryebashkiakut të Vlorës, duke i kujtuar drejtpërdrejtë se duhet të punojë më shumë.

“Ne kemi pasur një takim, është e vërtetë që është bërë dhe në Zvërnec. Ka patur një moment pakënaqësie në atë zonë të disa subjekte që kanë investuar në infrastrukturë të lehtë për turistët ditorë dhe nga një keqkuptimi u krijua ideja që ato struktura të lehta të ndërtuara prej tyre do prisheshin, ndërkohë që ka munguar një komunikim efektiv dhe zgjidhje me bashkinë e Vlorës.

Kemi patur një debat konstruktiv për të vënë pikat mbi i lidhur me shumëçka që duhet përmirësuar.  Unë s’jam i kënaqur as me punën time e jo më me punën e tjerëve, përfshirë edhe Dritanin, për të cilin kam shumë respekt, por prej tij, ashtu si edhe për të tjerët, kërkoj shumë më tepër.

Biseda është zhvilluar në mënyrë të hapur dhe nga ana tjetër kam besim se si rezultat i atij debati të gjithë do përmirësojmë më tutje punën për këtë qytet.

E respektoj integritetin e kryebashkiakut të Vlorës, ka qenë një bashkëpunëtor i vlefshëm që do të thotë se pikërisht se besoj shumë se ka shumë potencial akoma, edhe PS e Vlorë e qeveria, është e shëndetshme që në momente të caktuara ti japim vetes një shtysë të fortë përpara”, tha Rama.

I pyetur për sondazhet në Vlorë, ku thuhet se PS ka pësuar rënie, kreu i qeverisë u shpreh se duhet punuar më shumë dhe puna të përmbysë sondazhet.

“Nuk është çështja individi, e Dritani, por e një bashkie të tërë që duhet të përmirësojë të gjitha aspektet e performacës së saj dhe duhet të ndërtojë një marrëdhënie më të afërt dhe më komunikuese me qytetarët që kanë shumë halle. Populli ka një shprehje që thotë ‘nëse nuk ma zgjidh dot hallin të paktën ma qaj.

Dritani duhet të bëjë më shumë, potencialin dhe mbështetjen tonë e ka, ashtu si edhe mbështetjen e komunitetit, por kjo e fundit duhet fituar cdo ditë, duhet ushqyer cdo ditë më fatke, punë, afërsi me njerëzit. Ngaqë besoj te Dritan Leli, jam shumë kërkues ndaj tij”, u shpreh Rama.

Të fundit