Flash News

OP-ED

Rama lëviz drejtorët si ‘kamerdare shpëtimi’, por Rilindja është drejt mbytjes

Rama lëviz drejtorët si ‘kamerdare shpëtimi’, por

Fabian Mata

Teksa ‘shfletoj’ lajmet në internet, përpara më del një titull: “Rama shkarkon drejtoreshat e Tatimeve dhe Doganave dhe i zëvendëson me dy drejtorë të rinj”.

Që zgjedhjet e kryeministrit Rama janë eksperimentale dhe emrat që propozon  nuk kanë asnjë njohje dhe aq më pak profil publik, kjo nuk përbën më asgjë të re. Përkundrazi, kjo është e vetmja mënyrë që Rama di të qeverisë pasi atij i pëlqejnë vetëm reklamat dhe surpriza që do të shkaktojë duke sjellë emra që askush nuk i ka dëgjuar më parë.

I kuriozuar, fillova të kërkoj në internet për drejtorët e rinj dhe u shfaq “Flet Drejtori i Kadastrës Fiskale”. Si çdo projekt tjetër që ka nisur Rilindja, ku për gjithçka kujdeset është vetëm ana estetike dhe aspak përmbajtja dhe realizimi, edhe ‘kadastra fiskale’ pati të njëjtin fat si “300,000 vendet e punës”, “shëndetësia falas”, “infrastruktura europiane”, mbështetja për sipërmarrjen dhe bujqësinë dhe “mirëqenia për të gjithë”.

Me bujë të madhe, në nëntor të vitit 2017, u ndryshua ligji “Për sistemin e taksave vendore” duke futur “Kadastrën Fiskale” si Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurisë së Paluajtshme që  do të shërbejë për qëllime të administrimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme.

Për këtë qëllim u krijua edhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë dhe drejtor vunë Enton Duron.

Me grantin bujar dhe eksperiencën e qeverisë Suedeze, kadastra fiskale ka më shumë se një vit e gjysëm që ka filluar punën dhe do të duhej të kishte filluar të kishte dhënë edhe rezultatet e para në drejtim të përmirësimit, administrimit dhe rritjes së efektivitetit të kësaj takse. Por, mesa duket nën drejtimin e Duros kadastra fiskale është ende larg fillimit të operimit dhe pritshmërive të qeverisë, ku 3 milard lekë shtesë në buxhet nga kjo taksë nuk mund të jenë veçse një utopi. Mesa duket, për performancë të mirë në administrim, Rama e promovon Enton Duron në drejtorinë më të rëndesishmë të të ardhurave të vendit.

Nga të gjitha burimet formale dhe publikimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë duket qartas që të ardhurat kanë filluar të bien ndjeshëm nga çfarë ka parashikuar qeveria për 2019 dhe si masë për këtë Rama merr vendimin që kreret e institucioneve duhen ndryshuar.

I nderuar z. Kryeministër, bën mirë ta kuptosh që performanca e të ardhurave që vijnë nga taksat tona në buxhet të shtetit nuk është një gabim teknik që ju mund ta zgjidhni me batuta. Emërimet në postet kyçe të administratës, që ju aq shumë trumpetoni se duhet të jenë nga ‘fondi i ekselencës’ së këtij vendi, nuk mund të bëhen për të ngopur egon tuaj që edhe këtë radhë i çuditi të gjithë dhe efekti i suprizës e bëri punën e vet. Uroj shumë që emërimet e fundit të kalojnë pritshmëritë, që të mos keni surpriza negative në realizmin e të ardhurave, nëse ju vërtetë shqetësoheni për ecurinë e këtij vendi.

Megjithëse kam të drejtë që këtë të fundit ta dyshoj fort. Tashmë shqiptarët e kanë kuptuar që ju nuk keni asnjë ndjesi për të përmiresuar jetën në këtë vend, prandaj kanë zgjedhur, me qindra mijëra, të largohen nga Shqipëria ku nuk shikojnë më asnjë mundësi për veten dhe të ardhmen e fëmijëve.

Tashmë duket qartë se lëvizjen që ka menduar kryeministri për ndryshimet në qeveri dhe drejtoritë në fuksionet kryesore tregojnë se “Titaniku i Rilindjes” ka futur ujë dhe mbytja është e pashmangshme. Këtë nuk e kupton vetëm Rama që po përpiqet me të gjitha format të konsolidojë neodiktaturën e tij përmes lëvizjes së marionetave të “Rilindjes”.

Të fundit