Flash News

KRYESORE

Rama nga Himara sulmon Vangjel Dulen: Ka fyer këtë qytet edhe vetë minoritetin

Rama nga Himara sulmon Vangjel Dulen: Ka fyer këtë qytet edhe

Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten, në mbyllje të fushatës elektorale nga Himara, se “në 4 vitet e ardhshme, PS do të punojë që potencialin e jashtëzakonshëm që ka kjo zonë bregdetare ta kthejë në një instrument zhvillimi ekonomik e social, duke nxitur agrobiznesin dhe agroturizmin”.

Në ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 Qershorit, Rama u ndal në Himarë, të cilën e cilësoi si një nga perlat e bregut të Jonit, ku duket shembulli i forcës transformuese të Partisë Socialiste.

Duke premtuar se në 4 vitet që vijnë, PS do të bëjë katërfishin e punëve të bëra këto 44 muaj, Rama garantoi se “do të vazhdojmë ta transformojmë rrënjësisht bashkinë e re të Himarës”. “Kjo vijë bregdetare sot është një shëmbëlltyrë e një vije bregdetare të një qyteti europian mesdhetar të një vendi tërheqës për turistët. Ju siguroj se 4 vitet e ardhshme, Rilindja Urbane, që ka nisur në zemër të Himarës do të shtrihet në çdo pjesë të saj dhe Himara vetë do të jetë e lidhur edhe më shumë me pjesën brenda territorit të saj historik, që falë reformës administrative territoriale ne e konsoliduam”, tha Rama.

Zhvillimi i agrobiznesit dhe agroturizmit, për Ramën, do të jetë po ashtu një transformim shumë i rëndësishëm ekonomik për jetën e banorëve që jetojnë në zonat më të thella të bashkive të reja. “Ne kemi një mundësi të madhe ende të pashfrytëzuar. Kemi filluar transformimet e Rilindjes Urbane në Dhërmi, në Vuno, në Jalë dhe do të vazhdojmë në të gjitha pikat e banuara nga Llogaraja deri në Sarandë, siç bëmë edhe me Qeparoin dhe Borshin”, tha Rama.

Në të gjithë bregdetin është bërë një transformim i madh i rrjetit të furnizimit me energji elektrike, tha Rama, duke shtuar se në 4 vitet që vijnë do të përmirësohet furnizimi me ujë të pijshëm dhe trajtimi i mbetjeve. Po ashtu, Kryeministri siguroi se “do të fillojë në muajt në vijim dhe zgjerimi i rrugës dhe transformimi i saj me standarde europiane, që nga Radhima, Orikumi, Llogaraja dhe deri në Himarë. “Ka filluar rruga e Lumit të Vlorës, e cila zbret këtej poshtë dhe po ashtu do të bëjmë edhe lidhjen me rrugë të Kurveleshit lart me Himarën poshtë. Të gjitha këto do t’i japin shumë më tepër zgjedhje e mundësi të gjithë hartës turistike dhe agrobiznesit dhe agroturizmit”, shtoi Rama.

Kryeministri komentoi po ashtu edhe kandidimin e Vangjel Dules nën siglat e PD-së në Vlorë. “Vangjel Dule ka fyer historinë e Himarës por këtë herë ka fyer rëndë edhe vetë minoritetin poshtë në zonën e qarkut të Vlorës. Përtej personales dhe politikes, ka një gjë që dua ta ndaj me banorët e Finiqit dhe Dropullit, që Vangjel Dulja nuk meriton asnjë votë nga asnjë minoritar, për faktin e thjeshtë se gjithë atë retorikë konfliktnxitëse dhe nacionaliste e ka përdorur vetëm për ndenjësen e tij. Kur erdhi puna për atë ndenjëse, ai braktisi gjithë minoritetin, gjithë ata që e kanë krijuar e mbështetur atë parti, braktisi vetë partinë dhe u fut në autobusin e Republikës së Re, në të njëjtën sedilje me Dashamir Tahirin e PDIU-së, i cili është njëlloj si Dule për komunitetin çam”, tha Rama.

Të fundit