Rama njofton takimin e parë zyrtar me Avdullah Hotin kryeministër: Ka vite që ka një degradim të madh në Prishtinë

Kryeministri Edi Rama njfton se në 3 korrik do të mirëpresë në takimin e parë zyrtar Avdullah Hotin, si kryeministrin e ri të Kosovës.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Rama tha se do të ishte i lumtur që të ulej në çdo tryezë për të diskutuar, pasi që sipas tij, u bënë sa vite që ka një degradim të madh në Prishtinë.

“Kam marr një mesazh për ta mirëpritur këtu Hotin me 3 korrik kështu që do të diskutojmë. Nuk e ndjej veten të zotin që të mund t’i ftoj të gjithë së bashku, por do të isha i lumtur të isha në çdo tryezë thjeshtë për të diskutuar. Është e domosdoshme që gjërat si këto të diskutohet edhe pse jam një fanatik i barazisë gjinore mes burrash siç diskutohej – edhe sot mbase aty ku kanë mbetur burra qoftë në Shqipëri, qoftë neper vende tjera.

Unë mendoj që edhe në luftë kur njerëzit luftojnë dhe vriten, ka një moment që bëjnë një armëpushim dhe komunikojnë. Jemi shumë pak ne për t’u sakatuar në këtë mënyrë, ka një arsye pse jemi sot në disavantazh , ky është fakt në aspektin e çështjes shqiptare, për shkak të asaj që thashë, u bënë sa vite që ka një degradim të madh në Prishtinë dhe natyrisht se secili ka përgjegjësinë e vet. Nuk jam këtu për ta fajësuar askënd. Në këtë proces është Prishtina që udhëheq dhe jo ne sepse në fund të fundit u takon liderëve legjitimë të Kosovës dhe nuk më takon mua”, tha Rama.