Flash News

KRYESORE

Rama nuk tërhiqet për 30 qershorin: S’ka negociata për datën e zgjedhjeve

Rama nuk tërhiqet për 30 qershorin: S’ka negociata për

Ndonëse u shpreh i gatshëm të ulet në dialog për opozitën për të zgjidhur krizën politike, kryeministri Edi Rama theksoi se nuk do të tërhiqet nga organizimi i zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Në komunikimin me gazetarët, Rama deklaroi se data 30 qershor nuk negociohet sepse nuk mund të negociojë Kushtetutën e Shqipërisë. Sipas tij, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në 2017-ën kur zgjedhjet parlamentare u shtynë vetëm me një javë, por brenda afateve të Kushtetutës.

“Në leximin tim, miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017-ën, por nuk e negociuam Kushtetutën. E kam refuzuar që në sekondën e parë deri në sekondën e fundit shtyrjen e zgjedhjeve dhe mos gaboj u shtynë me një javë. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë sepse Presidenti ka zgjedhur 30 qershorin dhe nuk zgjodhi 23 qershorin, është zgjedhja e tij. Unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar sepse është Kushtetuta e Shqipërisë. Unë kam nderin e madh të flasë në emrin e një shumice që sot është shumicë në Parlament dhe në popull. Ajo shumicë nuk negocion dot Kushtetutën dhe të drejtën e vetë për të hyrë në një proces zgjedhor”, tha Rama.

Sipas Ramës, është opozita ajo që ka sot më shumë se asnjëherë nevojë për t’u ulur në dialog me mazhorancën.

“Sa i përket dialogut unë nuk kam nevojë as për gjermanë, as për amerikanë, as për holandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjez, për t’u ulur dhe për të dialoguar. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në në një vend normal dhe një shoqëroi që bazohet në zgjedhjet e saj te vota. E kam kërkuar këtë edhe kur nuk kishte kapsolla. Sot pala tjetër ka nevojë më shumë se asnjëherë për dialog dhe vendi ka më shumë se asnjëherë për dialog sepse qytetarët nuk ia kanë borxh politikanëve situata që në vend që të pushojnë ditën e shtunë, duhet të festojnë vitin e ri që ëndërron imagjinata qesharake e udhëheqësve të PD dhe duhet të përballojnë zhumra që as për vit të ri, në kohën kur ishin armët rrugëve, nuk i dëgjonin. Sa i përket dialogut nuk diskutohet që është gjithnjë i nevojshëm dhe jo më për të krijuar komunikim mes njerëzve dhe mes njerëzve që përfaqësojnë të tjerët”, tha kryeministri.

Lidhur me disa paketa për zgjidhjen e krizave që po qarkullojnë në media, Edi Rama tha se ato nuk janë të vërteta dhe publikohen si presion ndaj kandidatëve demokratë për të mos kandiduar si të pavarur në zgjedhjet lokale.

“Do të shikoni shumë paketa këto ditë. Paketa që prodhohen këtu për arsye të ndryshme. Paketa që prodhohen për t’i thënë kryetarëve të bashkive të PD, që tundimet për tu regjistruar si të pavarur apo me një parti tjetër, janë të gabuara sepse ka një paketë. Aksionet opozitare e zëvendësojnë Qeverinë vetëm nëse kulmojnë në procese zgjedhore të suksesshme”, u shpreh Rama.

Të fundit