Flash News

KRYESORE

Rama paralajmëron masa drastike ndaj drejtuesve të administratës: Çdo dokument do nxirret nga një zyrë e vetme; çfarë u kam kërkuar ministrave...

Rama paralajmëron masa drastike ndaj drejtuesve të administratës:

Masa drastike për çdo drejtues në çdo zyrë shteti që nuk garanton zbatimin e Reformës së Shërbimeve Administrative për qytetarët.

Ky ishte paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama nga Berati, ku zhvilloi sot një takim me drejtues të administratës vendore e qendrore.

Kryeministri theksoi se është bërë e qartë për të gjitha agjencitë dhe zyrat e shërbimeve ndaj qytetarëve se, çdo kërkesë për një dokument, autorizim, licencë apo certifikatë çfarëdo është absolutisht detyrim i çdo zyre që të mos e refuzoj apo vonoj, duke kërkuar nga qytetarët që të shkojnë në zyra të tjera dhe të marrin dokumente përkatëse për kërkesën e tyre.

“Nëse për një autorizim, licencë, certifikatë të caktuar duhen edhe disa dokumente të tjera nga zyrat e shtetit, këto dokumente duhet t’i garantoj vetë zyra përkatëse. Nuk i thuhet qytetarit se  mungon ky dokument. Të vetmet dokumente që qytetarët duhet të marrin vetë janë dokumenti bankar apo mbi të shkuarën e tyre në emigracion. Dokumentet shtetëror duhet të garantohen nga vetë zyra përkatëse, ku është bërë kërkesa. Kjo nuk po kthehet në sistem në gjithë vendin, ndaj nga të gjithë ministrat u kërkua të marrin masa drastike për çdo drejtues, në çdo zyrë të shtetit që nuk garanton këtë cilësi dhe seriozitet ndaj qytetarëve”, tha Rama, raporton ‘Atsh’.

Kryeministri theksoi se është shënuar progres i konsiderueshëm sa i takon gatishmërisë së administratës për të ofruar shërbime online. Sipas tij, “janë 535 shërbime elektronike dhe 47 sisteme shtetërore që bashkëveprojnë me njëra-tjetrën. Po ashtu, tha Rama,  janë 29 dokumente me vulë dixhitale që merren drejtpërdrejt nga shtëpia, duke filluar nga certifikata e lindjes, për të cilën nuk ka më nevojë për të shkuar në gjendjen civile.

“Ministria e Brendshme ka përcjellë një mesazh të qartë për të gjitha zyrat e gjendjes civile: nuk duhet më të japin certifikata të printuara në mënyrën e vjetër, por duhet t’i gjenerojnë ato nga sistemi, duke bërë kështu të mundur një ulje të konsiderueshme të kostove, por edhe rritjen e mëtejshme të numrit të qytetarëve që nuk kanë nevojë të presin në radhë. Kemi çdo muaj rritje të konsiderueshme të certifikatave të gjeneruara me sistemin e ri dhe kjo është kursim financiar dhe i radhëve të konsiderueshme”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se edhe për vërtetimet e tatimeve që mund të merren lehtësisht nga sistemi online E-Albania është rritur me 6 herë numri. “134 559 vërtetime tatimore të gjeneruara deri javën e shkuar, dhe 33 650 orë pritje që u janë kursyer qytetarëve”, tha Rama.

Rama tha se “edhe vërtetimet e pensioneve dhe karta e shëndetit mund të merren drejtpërdrejt nga sistemi online nga shtëpia, falë nënshkrimit elektronik. “Edhe Qendra Kombëtare e Biznesit ka një rritje jo shumë të ndjeshme por të prekshme të gjenerimit të dokumenteve. Po shikojmë për hapa përpara që lidhen me uljen e kohës, shpenzimeve dhe korrupsionit, pasi e dimë të gjithë që për të kursyer kohë apo shmangur radha të gjata, njerëzit kanë paguar vazhdimisht ryshfete”, tha Rama.

Ai siguroi se “nuk do të ketë asnjë tolerancë për asnjë drejtues që nuk garanton këtë cilësi të kërkuar shërbimi, plotësisht të mundur falë sistemit elektronik që duhet të përdoret gjerësisht nga administrata për garantimin e të gjithë dosjes për qytetarin nga vetë zyra, brenda sistemit të administratës shtetërore”.

Të fundit