Flash News

KRYESORE

Rama pranon se ka patur oferta për ndërtim gardhesh në kufi: Jemi popull emigrantesh, por nuk do i shpëtojmë ne të pasurit e Europës

Rama pranon se ka patur oferta për ndërtim gardhesh në kufi: Jemi

Gjatë konferencës së përbashkët me homologun malazez, Dushko Markoviç, kryeministri shqiptar, Edi Rama konfirmoi se qeveria ka patur oferta nga shtetet evropiane për të marrë dhuratë tela me gjemba për t’i vendosur në kufi si kundërpërgjigje ndaj fluksit në rritje të refugjatëve. Rama theksoi se kjo ofertë është refuzuar nga Tirana për arsye se shqiptarët janë një popull emigrantësh dhe historia e tyre në shpëtimin e hebrenjve dhe shqiptarëve të Kosovës nuk e pranon një masë të tillë.

“Edhe ne kemi patur oferta për të marrë gardhe dhuratë, por ne jemi një popull emigrantësh, jemi një popull që ka një histori krenare të shpëtimit të hebrenjve. Sot në Shqipëri strehohen afro tre mijë refugjatë iranianë dhe të mos harrojmë asnjëherë se në këtë vend të vogël janë strehuar mbi 500 mijë refugjatë lufte që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të spastrimit etnik të Milloesheviçit. Nuk jemi vendi për gardhe dhe për shfaqje refuzuese ndaj atyre që janë në nevojë ekstreme dhe që ikin nga zona ku kërcënohen për jetën e tyre”, kryeministri.

Rama foli gjithashtu për mundësinë e ngritjes së kampeve për refugjatët në Shqipëri, duke theksuar se vendi ynë do të mbajë barrën që i takon, por nuk do të bëhet shpëtimtari i të pasurve të Europës. Ai kritikoi gjithashtu vendet e BE-së se kanë braktisur në këtë krizë shtete si Greqia dhe Italia.

“Jemi gati të marrim përsipër barrën tonë të përgjegjësisë, në kuadër të një projekti evropian, aq sa mundemi dhe aq sa na takon. Nuk mund të jemi as vende gardhesh por as edhe heronj shpëtimtarë të vendeve të pasura. Kemi patur 15 fishin e fluksit që kemi patur më parë. Jemi në kontakt me partnerët për të mos u përballur me një fluks të papritur nga kufiri i gjelbërt me Greqinë. Greqia dhe Italia u lanë vetëm nga të pasurit e Europës në këtë proces”, deklaroi Rama.

Edhe kryeministri malazez foli për këtë çështje, por përgjigjja e tij nuk ishte e qartë nëse shteti i tij do të ndërtojë apo jo gardh në kufirin me Shqipërinë.

“Nuk po ndodh asgjë në kufi. Nuk do të ketë ndërtim të kampeve për refugjatët ilegal. Është e vërtetë se kemi vërejtur një fluks të madh të refugjatëve që hyjnë në Mal të Zi nga kufiri me Shqipërinë. Do të punojmë bashkërisht që kufijtë tanë të jenë më të sigurtë dhe të jemi të përgatitur në rast të një fluksi të madh. Qytetarët tanë duan stabilitet”, tha Markoviç.

Të fundit