Flash News

KRYESORE

Rama pro ndryshimit të kufijve? Ish-ministri Bushati: Prioritetet strategjike vështirë të ndryshohen; çështja është shumë delikate

Rama pro ndryshimit të kufijve? Ish-ministri Bushati: Prioritetet

Ndryshimi politik në krye të Ministrisë së Jashtme, për ish-ministrin Ditmir Bushati është vështirë që të sjellë edhe ndryshime të prioriteteve të Shqipërisë. Në intervistën për ‘Albanian Daily News’, Bushati thekson se “mund të ketë nuancime në momente të caktuara, por dihet se një pjesë e prioriteteve që ndiqen në vijimësi nga shërbimi i jashtëm, janë prioritete strategjike për të cilat, të gjitha forcat politike dhe aktorët shoqërorë janë në një mendje.”

I pyetur konkretisht për ‘elasticitetin’ e kryeministrit Edi Rama në raport me marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbisë, duke mos përjashtuar ndryshimin e kufijve, ish-ministri Bushati sërish nuk ka jep një përgjigje konkrete, por e konsideron këtë çështje shumë delikate dhe që kërkon rrahje mendimi sa më shterues.

“Është një çështje mjaft delikate dhe për pasojë, kërkon një rrahje mendimi sa më shterues dhe gjithëpërfshirës. Në rradhë të parë, nevojitet bërja e një inventari të arritjeve dhe dështimeve të procesit të dialogut Serbi-Kosovë, për t’i krijuar mundësi opinionit publik dhe politikëbërësve të kuptojnë se sa realisht janë normalizuar sot marrëdhëniet mes dy vendeve”, shprehet Bushati.

Sa i përket negociatave me Greqinë, Bushati thotë se kjo është dosja më e vështirë që Tirana duhet të administrojë në rajon.

“Në lidhje me paketën me Greqinë, ne kemi bërë hapa vendimtarë përpara. Nuk ka qenë një proces i lehtë. Ndoshta është dosja më e vështirë që ne duhet të administrojmë në rajon. Kemi pasur mirëkuptim për një tërësi çështjesh, duke nisur nga ato të bartura nga Lufta e Dytë Botërore, deri tek çështje të aktualitetit”, deklaron ish-ministri.

Pjesë nga intervista e Ditmir Bushatit për ADN:

-Zoti Bushati, një pyetje e pashmangshme: Duke qenë se në krye të Ministrisë së Jashtme (dhe Europës) keni qenë ministri më jetëgjatë i viteve të demokracisë, keni ndërtuar një profil solid dhe aq më tepër, axhenda dhe veprimtaria diplomatike është disi e shkëputur nga zhvillimet e brendshme politike… a e prisnit largimin?

- Detyra e Ministrit të Jashtëm, siç ju e thatë, imponon një lloj largësie “higjienike” nga zhvillimet e politikës së brendshme, për të krijuar një shtrat sa më mirëkuptues e konsensual, në funksion të jetësimit të prioriteteve të politkës së jashtme dhe përmbushjes së objektivave kombëtare.

Ka vende të cilat kanë demonstruar në vijimësi një periudhë më të qëndrueshme sa i takon drejtimit të politikës së jashtme; sikundër ka dhe praktika me lëvizje të shpeshta në krye të shërbimit të jashtëm. Por në politikë, të dyja opsionet janë të njohura.

-Pas takimit me homologun italian Moavero, ju pohuat tekstualisht se “kryeministri ka vendosur të ndryshojë drejtimin politik të ministrisë”. Fraza u kuptua edhe si një ndryshim në politikën e deritanishme të diplomacisë sonë; apo perceptim i gabuar?

-I jam referuar pikërisht faktit që kryeministri ka vendosur të jetë vetë përkohësisht, edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, që do të thotë edhe ndryshim i udhëheqjes politike të ministrisë. Siç e ka sqaruar kryeministri, dhe siç është përgjithësisht praktika e vendeve të tjera, kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë ndryshim të prioriteteve në politikën e jashtme. Është shumë e vështirë për të pasur ndryshime të prioriteteve; mund të ketë nuancime në momente të caktuara, por dihet se një pjesë e prioriteteve që ndiqen në vijimësi nga shërbimi i jashtëm, janë prioritete strategjike për të cilat, të gjitha forcat politike dhe aktorët shoqërorë janë në një mendje.

-Qartë. Meqë folëm për nuancime, kam një parantezë: Qëndrimi juaj i shprehur lidhur me çështjen e dialogut Serbi-Kosovë, e më konkretisht mbi idenë e ndryshimit të kufijve, ka qenë i qartë kundër këtij opsioni, dhe e keni arsyetuar përse. Ndërkohë kryeministri ka qenë më elastik në formulim, duke ua lënë marrëveshjen dy palëve të interesuara, të cilat mjafton të bien 100% dakord dhe Shqipëria do të ishte e kënaqur për ta mbështetur. A mund të presim, pikërisht në kuadër të këtyre “nuancimeve”, një modifikim të qëndrimit të Shqipërisë mbi këtë çështje?

-Është një çështje mjaft delikate dhe për pasojë, kërkon një rrahje mendimi sa më shterues dhe gjithëpërfshirës. Në rradhë të parë, nevojitet bërja e një inventari të arritjeve dhe dështimeve të procesit të dialogut Serbi-Kosovë, për t’i krijuar mundësi opinionit publik dhe politikëbërësve të kuptojnë se sa realisht janë normalizuar sot marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në gjykimin tim, ka pasur hapa pozitivë përpara, sikundër ka patur raste kur dialogu ka ngecur, apo angazhimet e marra në letër nuk kanë sjellë efektet e pritshme në praktikë.

Së dyti, është e rëndësishme të kuptojmë se thelbi i gjithë procesit ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Kam vënë re, sidomos gjatë vitit të kaluar, një intensifikim të përpjekjeve për ta trajtuar këtë proces vetëm nga prizmi i njohjes së mundshme të Kosovës nga ana e Serbisë; a thua se kemi të bëjmë me një suksedim* të Kosovës nga Serbia. Besoj se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, shpallja e pavarësisë së Kosovës, vendimmarrja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, - që është gardiani, autoriteti numër Një i intepretimit të së drejtës ndërkombëtare - janë përgjigja më e mirë për këdo që tenton ta shohë këtë çështje thjesht dhe vetëm nga prizmi i njohjes eventuale të Kosovës nga ana e Serbisë.

Po kështu, dua të them që normalizimi është një proces i dyanshëm, i nevojshëm - si nga Serbia ashtu dhe nga Kosova - pavarësisht fuqisë apo dobësisë që mund të kenë për çështje të ndryshme Kosova dhe Serbia. Pse flas për fuqi dhe dobësi? Është fakt që Kosova është e njohur nga një shumicë dërrmuese e vendeve të botës demokratike. Është po fakt i pakundërshtueshëm, se pavarësisht se nuk njihet edhe nga vende që kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, si Rusia apo Kina; apo nga disa vende të G20-ës, apo nga vetë Serbia; është po Serbia ajo që ka një ngërç të madh, qoftë me këto vende të botës demokratike, që janë aktorë kryesorë në skakierën ndërkombëtare, qoftë me ecurinë drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Europian.

Çështja e tretë që gjithashtu duhet analizuar është efekti i prekshëm për qytetarët e dy vendeve. Sot për sot, mungon analiza se sa i ka shërbyer ky proces qytetarëve, qoftë nga pikëpamja e lëvizshmërisë, apo nga zhvillimi i marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike.

Më tej, procesi i normalizimit do të duhej të pasohet edhe me procesin e pajtimit, duke qenë se Serbia dhe Kosova kanë në histori të përgjakshme. Shpresoj që ky do të jetë edhe një proces që do hapë dritën e gjelbër për të dyja vendet, për të qenë pjesë e familjes europiane.

-Të mbetemi edhe pak këtu, duke marrë shkas nga vizita e djeshme e Presidentit rus Putin në Beograd. Nëse deri tani violinë e parë ka qenë BE-ja; a e shihni si të nevojshme, efikase, të udhës, të mundshme, një përfshirje direkte SHBA-Rusi në finalizimin e dialogut Serbi-Kosovë, për çka po shtohen zërat së fundmi?

-Mendoj që parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit, pjesë e të cilit ka qenë edhe Rusia, duhet të mbeten parime orientuese për gjithë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Ashtu sikundër transferimi i këtij procesi nga selia e OKB-së në atë të Bashkimit Europian, përveçse simbolik, është edhe një mundësi e mirë për t’i treguar si Serbisë, edhe Kosovës, se përmes këtij procesi dhe kompromiseve të natyrshme në një dialog që shpie drejt njohjes së ndërsjellë, të dyja vendet do të sigurojnë në të ardhmen bashkëjetesën si vende anëtare të BE-së.

Pozicioni i SHBA-së është qartësisht në mbështetje të punës që po bën BE dhe përfaqësuesja e politikës së jashtme, zonja Mogherini, si një lehtësuese e dialogut mes dy vendeve.

-Do doja të flisnim për njëfarë bilanci, për sa është e mundur në një bisedë, mbi veprimtarinë tuaj mbi 5 vjeçare në krye të diplomacisë shqiptare. Ju pohuat së fundi se është ende herët për të piketuar ndonjë gabim (mbase janë dhe më shumë, shtuat) pasi kjo kërkon një refleksion. Unë po e filloj me dy elemente pozitive që modestisht, më kanë rënë në sy: E para, statura juaj gjithnjë e kujdesshme përgjatë ecurisë së procesit të integrimit me BE-në, e harmonizuar me qëndrimet e Brukselit (që ju ka kushtuar edhe ndonjë kritikë, si çështja e votës për Palestinën në OKB). E dyta, puna voluminoze dhe besoj, impenjative, për marrëveshjen paketë me Greqinë, që ende nuk dihet si do konkludohet. A do t’ju vinte keq për rastin e fundit, një mungesë finalizimi?

-Mendoj që qershori i 2019-ës është një stacion shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, dhe nuk do ta ekzagjeroja po të thoja, për shqiptarët në përgjithësi.

Në lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE; në qershor 2018, pas rekomandimit të qartë si kristali nga ana e Komisionit Europian, vendet anëtare përcaktuan një kalendar, shoqëruar me procesin “screening” dhe me thirrjen për vijimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës nga ana e Shqipërisë. Nëse shohim trajektoren e rajonit tonë pas shembjes së perandorisë komuniste, vërejmë se shqiptarët kanë qenë promotorë të kyçjes së rajonit në rrjedhat euro-atlantike. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Kroacia ishin të parat që u anëtarësuan në NATO. Mirëpo disa herë kemi bërë hapa përpara në raport me fqinjët, duke nisur nga 1996 e këtej, e më pas për fajin tonë kemi humbur mundësi.

Në këtë kontekst mendoj që 2019-ta duhet konsideruar si stacioni në kërkim të kohës së humbur për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të qenë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Edhe nga pikëpamja gjepolitike, do të ishte e padrejtë, që Shqipëria dhe shqiptarët, për shkak të projektimit pozitiv që ka Shqipëria në rajon, të mos ishin pjesë e tryezës së bisedimeve, siç është rasti i Serbisë, Malit të Zi, dhe siç shpresoj se do të ndodhë edhe me fqinjin tonë, Maqedoninë.

Në lidhje me paketën me Greqinë, ne kemi bërë hapa vendimtarë përpara. Nuk ka qenë një proces i lehtë. Ndoshta është dosja më e vështirë që ne duhet të administrojmë në rajon. Kemi pasur mirëkuptim për një tërësi çështjesh, duke nisur nga ato të bartura nga Lufta e Dytë Botërore, deri tek çështje të aktualitetit.

Ju thatë se ka gjasa që siç po shkojnë punët, kjo dosje edhe mund të mos shtyhet përpara; unë do preferoja ta shihja gotën gjysmë plot. Fakti që në të dyja vendet kemi tashmë kryeministrat që mbajnë edhe portofolin e ministrit të jashtëm, duhet konsideruar si një shans për të shfrytëzuar këtë periudhë kohore në funksion të përfundimit të kësaj pakete.

-Ndërkaq, zoti Bushati, në kuadrin e kritikave apo pikave të debatueshme gjatë punës suaj, është i freskët një prononcim i zonjës Arta Dade që ka përmendur ligjin e shërbimit të jashtëm si një pikë për të cilën keni patur mjaft debate, edhe në komisionin e jashtëm parlamentar. Në një retrospektivë, ç’konkluzione do nxirrnit?

-Unë padyshim vlerësoj çdo kritikë, aq më tepër kur vjen nga zonja Dade, e cila përveçse me një përvojë të gjatë politike, ka qenë edhe ministre e jashtme. Kritikat shërbejnë për të përmirësuar punën në mënyrë që Shërbimi i Jashtëm të funksionojë kryesisht në bazën e karrierës dhe meritokracisë. Në këtë drejtim ne kemi ndërmarrë disa masa. Së pari, që prej shtatorit të 2013, ne vendosëm një standard të ri sa i përket nepotizmit dhe abuzimit në emërime, që ishte një shqetësim i përhapur. Së dyti, në përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të shërbimit të jashtëm dhe familjeve të tyre. Së treti, nëse dikur hynin në masë njerëz nga politika në shërbimin e jashtëm, sot kemi përcaktuar kritere për ata që vijnë nga jashtë dhe që gjithsesi, janë të përkohshëm.

*Intervista e plotë në anglisht: Ditmir Bushati, Albanian Diplomacy, 5 Years Later

 

Të fundit