Flash News

KRYESORE

Rama shton fondin për “shërbime qeveritare”, dy qytetet ku do mblidhet Samiti Diasporës

Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Ministrave vendosi të shtojë me 67 milionë lekë fondin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në zërin “Shërbime qeveritare”.

Sipas vendimit, ky fond do të shkojë për organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës, që do të zhvillohet në datat 28 shkurt – 2 mars 2019 në Tiranë dhe Lezhë.

Vendimi

V E N D I M PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019 PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit

V E N D O S I:

  1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e vitit 2019, në zërin “Shërbime qeveritare”, i shtohet fondi prej 66 972 800 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh, brenda datës 31 janar 2019, për organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës, që do të zhvillohet në datat 28 shkurt – 2 mars 2019 në Tiranë dhe Lezhë.
  2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.
  3. Ministria e Kulturës, brenda fushës së përgjegjësisë së vet, të bashkërendojë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për organizimin e aktiviteteve social-kulturore dhe vendosjen në përdorim të monumenteve të kulturës, sipas rastit.
  4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Të fundit