Flash News

OP-ED

Rama të mbledhë 'like' ne Facebook, qytetarët t'i japin 'dislike' në kutinë e votimit

Rama të mbledhë 'like' ne Facebook, qytetarët t'i

Patrik Sadikaj

I ekzaltuar, në median gjermane, Edi Rama nuk e mbajti dot adhurimin për veten dhe u vetëshpall kryeministri më i mirë i gjithë kohërave në Shqipëri.

Sigurisht që gazetari, i pamësuar me të intervistuar të tillë, nuk arriti do ta kapërdinte një narcizëm të tillë, por duke qenë një intervistë më shumë e blerë se sa e marrë, nuk u thellua shumë dhe e la për vlersim në publik delirimin e kryeministrit tonë.

Fundja ai e kupton fort mirë mirëqeverisjen e Edi Ramës, sepse pas intervistës me të, vrapoi të gjente një tjetër histori shqiptari që, së bashku me 300 mijë të tjerë ka ikur nga jeta e mrekullueshme në Shqipëri për të sfiduar jetën e vështirë gjermane.

Kryeministri nuk e ndoqi pas gazetarin të kuptonte se pse po i ikin qytetarët e tij në Gjermani, Francë apo kudo tjetër në botë, vetëm e vetëm që të mos rrijnë në parajsen e “më të mirit prej krejtve”!

Një kryeministër i mirë nuk vesh brekushet dhe atletet firmato për të shpërndarë zhgarravinat e tij nëpër botë, por ulet aty e flet me njerëzit që po e lënë Shqipërinë të shkretë. Një kryeministër i mirë nuk ndjek ëndrrën e tij, por bën të mundur ëndrrën e gjithë qytetarëve.

Dhe kjo ëndërr nuk është aq e madhe sa e tij. Askush prej shqiptarëve nuk dëshiron të jetë lider botëror, por ëndërron të rrisë fëmijët në vendin e vet, pa i degdisur poshtë urave në Francë apo në kampet e ftohta në Gjermani. Më pak për t'i ngarkuar kamionëve-frigorofer për t'i dërguar në Angli.

Shqiptarët nuk kanë ëndrra kaq të mëdha. Duan vetëm të kenë mundësinë të jetojnë të paktën 1 përqind të mirëqënies së djalit të kryeministrit, ministrit, deputetit apo drejtorit.

Edhe ata i dërgojnë fëmijët jashtë vendit, por me paratë që “kryeministri më i mirë i historisë”, na i merr me taksa shumë herë më të mëdha sesa pagat që marrin qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

Shqiptarët e dinë se ai nuk është më i miri, aq më pak më i miri në histori, por tashmë të mbyllur në kutinë e propagandës, nuk arrijnë dot të reagojnë.

Ata që e dinë realitetin jashtë Facebook-ut apo Twitter-it kanë ikur, ose po bëhen gati të ikin. Në çdo tre veta që takon, dy thonë se do ikin sapo t'u vijë mundësia e parë. Po ikin mjekët, profesionistët, studentët, fëmijët.

Përballë realitetit që kryeministri bën sikur nuk e sheh, ka shpikur një realitet imagjinar 3D në Facebook.

Përtej çdo polemike që krijoi duke pranuar postin e zvëndësministrit, Taulant Muka është një personalitet që të paktën në botën akademike është për t'u vlersuar e marrë në konsideratë.

Ai tha dje, atë që kryeministri ka kaq kohë që na e shet si qeverisje. I hoqi maskën një kryeministri, që mbledhjen e qeverisë së tij nuk e bën për të diskutuar projekte e ligje që dalin nga konteksti i imagjinares, por për të mbledhur “like”në Facebook.

Nuk e di çfarë mund të jetë më skandal se kaq!

Një qeveri që paguhet me taksat tona dhe është zgjedhur aty për të shërbyer, merret me “like”e “share” të kryeministrit. Kjo është një provë se Edi Rama qeveris vetëm në FB e Twitter. Realitetin e ka hedhur në zhgarravinat e e tij që parapëlqen t'i quajë piktura.

Ai ka krijuar botën e Facebook dhe për fat të keq ka filluar ta besojë edhe vetë. Ai kujton se duke hedhur projekte imagjinare në 3D e ka qeverisur vendin dhe pastaj para pasqyrës i thotë vetes: Jam më i miri prej krejtve!

Nuk ka rëndësi, se sa shqiptarë ikin nga sytë këmbët prej “parasjsës” imagjinare të qeverisë. Rëndësi ka që ata që janë për të ndërtuar ndonjë rrugë, shkollë apo spital të ndërtojnë perandorinë e “like-ve” që kryeministri të kënaqet në mediat e imunizuara nga e vërteta duke e besuar edhe vetë se është “kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave”.

Po, por vetëm në Facebook ama.

Le të kënaqet me “like” në FB, koha është që shqiptarët t'i japin “dislike”në kutinë e votimit.

Të fundit