Flash News

KRYESORE

Rama, Xhafaj, Veliaj, Tahiri, ka grupe në PS, apo jo? Si përgjigjen Mustafa Nano dhe Alfred Lela

Rama, Xhafaj, Veliaj, Tahiri, ka grupe në PS, apo jo? Si përgjigjen

“Për sa kohë që do jetë Rama kryeministër, asnjë grup s’do guxonte të shfaqej”

Mustafa Nano, Provokacja-ABC News  

 

Zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste dhe qeveri me largimin e Fatmir Xhafajt nga ministër i Brendshëm (ende të paqarta për motivet e dorëheqjes së tij), kanë krijuar disa teori mbi këtë ikje të beftë. Çfarë po ndodh brenda mazhorancës? I konsideruari si i besuari i ndërkombëtarëve detyrohet të ikë, kjo i forcon apo dobëson pozitat e qeverisjes?

Ju thoni “detyrohet”, dhe me këtë lini të kuptohet se më shumë sesa me një dorëheqje të Xhafajt, kemi të bëjmë me një shkarkim të tij. Unë nuk do ta përjashtoja një version të tillë. Mund të ketë ndodhur pra që Rama ka parë se Xhafaj po i dilte nga kontrolli me angazhimin e policisë në një numër goditjesh të forta brenda mazhorancës. Dhe ka qenë një prononcim i Ramës në një aktivitet në Myzeqe që e ushqen këtë spekulim. Ai, nga pozitat e kreut të PS-së që po shpërndante tesera partie, i tha një vajze të sapoanëtarësuar në PS se – po e perifrazoj – “qenia në një parti shoqërohet me mungesën e lirisë, me fjalë të tjera me detyrimin për të mos dalë kundër partisë e njerëzve të partisë”. Ta lëmë mënjanë faktin që kjo është një ide absurde. Dhe e rrezikshme, pasi synon të minojë raportin që njerëzit kanë me të vërtetën. “E vërteta është partia, është interesi i partisë”, -thotë Rama në thelb në këtë rast, dhe këtë e thotë pikërisht në ditën që Xhafaj kishte dhënë dorëheqjen. Edhe mund të ndodhë ky lloj përkimi, por zakonisht përkime të tilla sfidojnë edhe logjikën e probabilitetit, e prandaj janë vështirësisht të besueshme.

Sidoqoftë, le të mos përjashtojmë edhe versione të tjera. Xhafaj mund ta ketë dhënë dorëheqjen edhe për shkak të një “borxhi”, në të cilin ai ishte “futur”, pasi Rama i ishte ndodhur pranë në të gjithë periudhën, në të cilën opozita po e mbante nën një breshëri të fortë goditjesh. Dhe ky borxh ishte një gjyle në këmbët e tij. Është e tmerrshme të punosh nën presionin e një borxhi. Dhe ky borxh nuk e linte të punonte, nuk e linte të godiste nga të gjitha anët, siç do t’i kishte hije policisë dhe siç do kishte dashur vetë Xhafaj. Dhe kështu ka marrë vendimin që të largohet.

Një version është edhe ai zyrtari. Me fjalë të tjera, Xhafaj u rraskapit prej këtij sulmi të madh që iu bë, dhe ka menduar të tërhiqet urtë e butë. Nuk u tërhoq në momentin kur këtë gjë ia kërkonte opozita, por u tërhoq në momentin kur askush nuk e priste. Në rrethanat, në të cilat ndodhej Xhafaj, nuk do të ishte ide e keqe për të ikur në këtë mënyrë. Sepse është një ikje, me anë të së cilës u thuhet të tjerëve: “Se kur vij në një detyrë, këtë e vendos tjetërkush (në këtë rast, kryeministri), por se ku iki, jam unë që e vendos”. Në fakt, njerëzit që kanë respekt për veten kështu sillen. Dua të them, kështu ikin. Dhe Xhafaj – këtu po jap një konsideratë timen – bën pjesë tek ata pak politikanë shqiptarë që kanë një dinjitet personal. Sidomos krahasuar me të tjerë rrotull tij. Mua më erdhi keq që ai u largua.

Si e konsideroni faktin që ish-ministri Xhafaj, vetëm katër ditë pasi dha dorëheqjen shfaqet në krah dhe në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ndërkohë nga ana tjetër, edhe ish-ministri Saimir Tahiri nënkupton një rikthim në jetën politike pasi të mbyllë problemet jo të vogla që ka me drejtësinë. A po krijohen brenda mazhorancës grupime?

Rishfaqja e Tahirit është një muhabet më vete. Atij i erdhi vendimi nga Italia lidhur me procesin, ku ishte përfshirë edhe emri i vet. Dhe ky vendim e shfajësonte. Kështu që ai ka synuar të mbrohet publikisht, duke qenë se kanë qenë të shumtë ata që i kanë mëshuar idesë se “ishin italianët që e kishin hapur këtë histori”. Kështu që lëvizja e Tahirit nuk lidhet me asgjë që ndodh në partinë socialiste. Çdo spekulim mbi këtë gjë e shoh shumë të kërkuar. Kam përshtypjen se Saimir Tahiri, edhe sikur ta hedhë hallin që e ka zënë, është pa të ardhme në PS e në politikë.

Në rastin tjetër, spekulimet janë të kuptueshme, por mua nuk më bindin. Nuk ka grupe në PS. Mund të ketë ndonjë ide për të krijuar një grup, apo grupe, të caktuara anti Rama, por këto grupe do të kenë vlerë vetëm pasi Rama të largohet. Për sa kohë që do jetë Rama kryeministër, asnjë grup nuk do guxonte të shfaqej. Jo për gjë, por do të rrezikonin avenirin e tyre pa qenë nevoja. Do të ishte një ngut budallenjsh, dhe mua nuk më rezulton budalla as Veliaj, as Xhafaj. Veliaj nuk ka arsye as të ngutet, përveç të tjerash. Ai është kryetar i bashkisë së Tiranës, është i ri në moshë, dhe ka gjithë luksin të presë që fuqia e Ramës të tretet, siç po tretet.

Lind pyetja: Pse Xhafaj nuk priti ca kohë para se të shfaqej në një aktivitet politik, për të shmangur kështu edhe lloj-lloj hamendjesh? Për mua ka një përgjigje të thjeshtë: Xhafajt nuk i prishin punë këto hamendje, madje mund t’i interesojnë. Por puna është që nuk ka asgjë prapa tyre. Nuk ka asnjë përpjekje për të rrëzuar Ramën. Ky i fundit do të largohet si kryetar i PS-së, dhe si kryeministër, veç nëse humbet zgjedhjet ose nëse vendos vetë të largohet para zgjedhjeve. Çdo formë tjetër është thjesht wishful thinking.

Kryeministri Edi Rama në postin e ministrit të Brendshëm ka propozuar Gjeneral Sandër Lleshin, një ish-ushtarak, pa angazhime politike, përse kjo zgjedhje? Është një mënyrë për të “pastruar” këtë post kyç, një lloj mbrojtjeje nga sulmet politike apo një sinjal drejt të besuarve të tij se tani e më pas njerëzit me të cilët do të qeverisë mund t’i gjejë edhe jashtë radhëve të PS-së?

Rama ka tanimë një histori të komplikuar me ministrat e Brendshëm. Janë dy ministra që i janë larguar, apo që ia kanë larguar, apo që i ka larguar ai vetë. Nën presionin e opozitës. Dhe nën një diskutim të madh publik, në të cilin Rama, dhe të vetët, janë vënë në këndin e ringut, dhe janë grushtuar pa pushim. Ai nuk do donte që kjo gjë të ndodhte edhe njëherë të tretë. Do të ishte shenjë e degjenerimit të plotë të pushtetit të tij. Dhe kështu ka zgjedhur një njeri me “biografi të pastër”.

Por duhet thënë se Sandër Lleshi i ofron atij edhe garancira të tjera. Ai nuk është thjesht njeriu me “biografi të pastër”, nuk është thjesht njeriu, me të cilin nuk ke si të kapesh, e se si ta bësh pis (pasi, lëri të tjerat, nuk ka qenë në pozicione vendimmarrjeje). Sandër Lleshi është edhe një njeri me kredenciale të mira profesionale, sidomos në fushën e sigurisë kombëtare. Dhe unë nuk di një post shtetëror që të ketë nevojë më shumë për këto kredenciale sesa posti i ministrit të Brendshëm. Unë nuk e di se si do të punojë ai. Ndoshta edhe mund të dështojë. Por di që në këtë moment nuk ka arsye për ta kritikuar, nëse nuk quajmë arsye të qenit pranë Ramës.

Çfarë po synon Rama me këto qëndrime, mos po kërkon të “blindojë” një mandat të tretë duke pastruar të përfolurit brenda partisë, për lidhjet me krimin? A mund ta përdorë si një kartë të fortë për të kërkuar sërish votat e shqiptarëve me “parimin” e barazisë para ligjit, tashmë që kryeministrit i është “djegur karta” se të tjerët në bashkëqeverisje nuk e linin të bënte shtet? Nëse ecën me këtë parim, a mund të ketë një “kryengritje” nga të tijtë që deri më sot i ka patur bashkëpunëtorë?

Nëse e pastron partinë nga të përfolurit, ai edhe mund të gjente arsye për të synuar një mandat të tretë. Por a mund ta bëjë këtë gjë? Ai mund t’i largojë ai njerëzit, që i janë përfolur nga media apo nga opozita? Unë nuk besoj se mund ta bëjë. Dhe nuk është frika e ndonjë kryengritjeje. Siç thashë më sipër, nuk ka asnjë rrezik që në PS-në e Ramës të lindë ndonjë fraksion anti Rama. Unë nuk besoj se mund t’i dëbojë ata, Ata bëjnë pjesë te njerëzit më të afërt të Ramës. Ah, nëse do të jetë prokuroria që do ndërhyjë, atëherë ndryshon puna, është ajo që do bënte një “punë të pistë”, që Rama vetë nuk do guxonte ta bënte. Thënë ndryshe, në këtë rast Rama do t’i hiqte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve. Mund të ndodhë kjo? Edhe mundet. Rama ka treguar në rrethana të tilla, se ai nuk u del për zot më shumë sesa duhet të akuzuarve nga Prokuroria. I lë të marrin fund ngadalë-ngadalë. Në PS e dinë këtë gjë tanimë. Siç e dinë të gjithë të tjerët.

 

 

A ka luftë në PS? Kujt i intereson: Shqipëria shtatzanë me skandale qeveritare

Alfred Lela, drejtor i Politiko.al

Zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste dhe qeveri me largimin e Fatmir Xhafajt nga ministër i Brendshëm (ende të paqarta për motivet e dorëheqjes së tij), kanë krijuar disa teori mbi këtë ikje të beftë. Çfarë po ndodh brenda mazhorancës? I konsideruari si i besuari i ndërkombëtarëve detyrohet të ikë, kjo i forcon apo dobëson pozitat e qeverisjes?

Ikja e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm nuk është lajm. Lajm përbën fakti që qeverisë Rama i kanë ‘rënë’ dy ministra të Brendshëm. Njëri në fund të mandatit të parë dhe tjetri në fillim të mandatit të dytë. Edhe zgjedhja e tretë, z. Lleshi, duket një ‘rënie’ për faktin se, më shumë se ‘zgjedhje shpëtimtare’ është operacion piari (PR). Z. Rama është kujtuar shumë vonë për profile të tilla si i Lleshit të papërfolura, të pakorruptuara dhe të mirarsimuara.

Implikimet, sa më takon mua, nuk mund të lihen në territorin e PS, Rilindjes apo shumicës, ato duhen bartur në terrenin e interesit të përgjithshëm publik. Thënë këtë nuk më intereson se çfarë skizme po lind apo po ‘fryhet’ në PS, sa kohë Shqipëria është shtatzënë me skandale, me deputetë, ministra, vëllezër, kushërinj të eksponentëve të lartë të mazhorancës që jetojnë një ‘wild west’ pa asnjë rregull. Përpjekja për ta kthyer luftën për interesin publik, ku ndeshen qeveria me opozitën dhe forcat e tjera shoqërore që janë kundër degjenerimit të sferës publike, vetëm sa e çon huq thelbin e çështjes.

Veliaj mund të dojë ta sfidojë Ramën, Xhafaj mund të kërkojë të krijojë një pol të vetin, por sa kohë nuk kemi ‘të penduar’ në gjirin e Riiindjes nuk kemi as debat publik dhe as betejë të bërë për publikun apo publiken. Lufta e brendshme në Partinë Socialiste vijon që prej fundit të viteve ’30 të shekullit të shkuar me grupet komuniste. Prej andej rrjedhin varg e vistër eliminimet që komunistët i bëjnë njëri-tjetrit duke vrarë në proces edhe interesin publik. Pse duhet t’i lejojmë sërish ta bëjnë këtë të fundit?

Si e konsideroni faktin që ish-ministri Xhafaj, vetëm katër ditë pasi dha dorëheqjen shfaqet në krah dhe në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ndërkohë nga ana tjetër, edhe ish-ministri Saimir Tahiri nënkupton një rikthim në jetën politike pasi të mbyllë problemet jo të vogla që ka me drejtësinë. A po krijohen brenda mazhorancës grupime?

Po të ishte rastësi, aktorët e saj do të ishin munduar ta shmangnin. Episodi i mosshmangies tregon se nuk ka qenë e tillë. Fatmir Xhafaj për shkak të impenjimit me Reformën në Drejtësi ka një marzh të lartë aksesi te të huajt. Erion Veliaj është konkurrent i Ramës në sektorin ku kryeministri performon më mirë, atë të piarit dhe propagandës. Këto dy fakte në vetvete, edhe nëse nuk janë të qëllimta nga bartësit e tyre, shërbejnë si shkak xhelozie. Duhet kujtuar edhe një fakt tjetër: me ikjen e Saimir Tahirit, PS mbeti me një pol të vetëm pretendimi dhe force në raport me trashëgiminë e Ramës, dhe kjo duhet të jetë shqetësuese sa i takon ndikimit të Ramës nesër kur ai të mos jetë kryetari. Rama ka qenë vetë autor i një ‘atvrasjeje politike’, asaj të Nanos. A është Eron Veliaj më pak makiavelik se ai?! Një pol i dytë, të cilin dje e përfaqësonte Saimir Tahiri, kërkohet në PS. Xhafaj nuk e plotëson këtë kusht edhe për atë se ai me sa duket ‘i përket’ grupimit Veliaj, por edhe se është rikthim më shumë se progres në kuptimin e përfaqësimit politik breznor. Ish-ministrin dhe kryebashkiakun i bashkon mesa duket edhe armiqësia me Tahirin.

Pikërisht kjo, mund ta kthejë Saimir Tahirin në PS si ‘djalin e lënduar’ nga ‘fajësia’ e paqenë e implikimit në trafikun e drogës. Eshtë një lojë rreziku, por Rama mund të zgjedhë ta luajë.

Kryeministrit Edi Rama në postin e ministrit të Brendshëm ka propozuar Gjeneral Sandër Lleshin, një ish-ushtarak, pa angazhime politike, përse kjo zgjedhje? Është një mënyrë për të “pastruar” këtë post kyç, një lloj mbrojtje nga sulmet politike, apo një sinjal drejt të besuarve të tij se tani e më pas njerëzit me të cilët do të qeverisë mund t’i gjejë edhe jashtë radhëve të PS-së?

Gjenerali Lleshi me vendosjen në krye të Ministrisë së Brendshme i ngjan një prifti të krishterë në një qytet të sunduar nga talebanët. Ai nuk ka çfarë bën sepse është sistemi të cilin e përfaqëson vetë kryeministri që e pengon. Zgjedhja e tij është inteligjente si formë e komunikimit publik, por është e paplotë dhe e pashpresë në raport me nevojën e ndryshimit të situatës së rendit dhe sigurisë në Shqipëri.

Sandër Lleshi më vete nuk ka pse dhe nuk mund të shahet, por atë e bën të atakueshëm konteksti dhe mjedisi në të cilin ai gjendet, dhe me një post e përgjegjësi të lartë. Megjithatë, minsitrit të ri i detyrohemi një ‘muaj mjalti’ pritje, për të parë se çfarë bën dhe çfarë mund të bëjë.

Çfarë po synon Rama me këto qëndrime, mos po kërkon të “blindojë” një mandat të tretë duke pastruar të përfolurit brenda partisë, për lidhjet me krimin? A mund ta përdorë si një kartë të fortë për të kërkuar sërish votat e shqiptarëve me “parimin” e barazisë para ligjit, tashmë që kryeministrit i është “djegur karta” se të tjerët në bashkëqeverisje nuk e linin të bënte shtet? Nëse ecën me këtë parim, a mund të ketë një “kryengritje” nga të tijtë që deri më sot i ka patur bashkëpunëtorë? 

Mendoj se z. Rama po mundohet të dalë nga ‘këmisha e hekurt’ që ia ka ngushtuar kapilarët qeverisës. Po ashtu, të heqë edhe një njollë të murrme implikimi me krimin. Ai po hedh sipër kësaj njolle solucionin e të papërfolurve, siç është rasti i Sandër Lleshit. Po ashtu, nëse e kini vënë re, daljet televizive i kanë marrë përsipër zv.ministrat, kryesisht djem e vajza të reja të paimplikuar. Socialistët e kanë patur dikur një qeveri zëvendës.ministrash (në kohën e Nanos), por kësaj radhe dizajni i saj nuk është ai i luftës së brendshme partiake si atëherë, por i molepsjes në afera të kundërligjshme të cilat janë regjistruar dhe shfaqen në dosje të ndryshme të Prokurorisë.

Nuk do të ketë kryengritje, por presione besoj se po. Presione për të siguruar më shumë kontroll në parti, apo pushtet në qeveri dhe nëndegë të saj. Partitë tona politike janë unitare dhe jo multicentrike, dhe ky është një mësim që e kanë nxjerrë shumë mirë nga Partia e Punës.

*Intervistat jane dhene per gazeten MAPO.

 

 

Të fundit