Flash News

KRYESORE

Ramush Haradinaj sot në Vlorë, pas debatit shmang takimin me kryeministrin Rama

Ramush Haradinaj sot në Vlorë, pas debatit shmang takimin me

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në qytetin e Vlorës.

Në axhendën e publikuar nga stafi i tij përfshihet një takim me kryebashkiakun, Dritan Leli, vizitë në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosje e kurorave me lule pranë varrit të Ismail Qemalit.

Vihet re se Haradinaj nuk parashikon të zhvillojë ndonjë takim [të paktën zyrtar] me kryeministrin Rama, me të cilin duhet thënë se raportet nuk janë në ditët më të mira të mundshme.

Në muajin shkurt, Haradinaj nuk i priti mirë deklaratat e kryeministrit shqiptar, i cili duke komentuar ratifikimin e demarkacionit u shpreh se kufiri me Malin e Zi duhet të ishte votuar me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro – atlantike.

“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, ishte përgjigja e Haradinajt në ‘Facebook’.

Kosova, nga ana tjetër po kalon një situatë jo të qetë pas deklaratave të përsëritura të Presidentit Hashim Thaçi, i cili insiston për ndryshimin e kufijve me Serbinë, por teza e tij është kritikuar nga Haradinaj, dhe politikanë të tjerë vendas, që e cilësojnë si një tezë të rrezikshme dhe destabilizuese për rajonin.

Të fundit