Flash News

KRYESORE

Raporti i Dhomës së Lordëve në Britani: I paqartë roli i Turqisë në Ballkanin Perëndimor; Xhaminë më të madhe po e ndërtojnë në Tiranë

Komiteti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Dhomën e Lordëve në Parlamentin e Britanisë ka publikuar një raport me titull “Britania e Madhe dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”, ku analizohet situata në rajonin tonë dhe hapësirat për ndërhyrjen e Londrës pas daljes nga BE.

Në një pjesë të dokumentit diskutohet për influencën e aktorëve të tretë në rajonin tonë, përfshirë SHBA, Rusinë, Turqinë, Arabinë Saudite dhe Kroacinë.

Por ndonëse për pjesën më të madhe të këtyre shteteve interesi dhe influenca e tyre është e qartë, diskutantët kanë shprehur paqartësi për rolin që luan Turqia, ndërkohë që me dyshim shihet përdorimi i elementit fetar.

Profesori i ‘London School of Economics’, Laza Kakic pret që potenciali i influencës turke në rajon të rritet në të ardhmen nëse vendet e tij nuk arrijnë anëtarësimet euro-atlantike, dhe kjo për shkak të ndryshimeve demografike në rajon.

“Nëse shikoni projeksionet për 2030 ose 2040, numri i njerëzve në rajon që janë myslimanë do të jetë shumë i lartë dhe unë dyshoj se ata do të shohin drejt vendeve si Turqia për edukimin kulturor”, ka deklaruar Kakic përpara lordëve britanikë.

“Roli gjeopolitik i Turqisë në rajon është gjithashtu i paqartë. Edhe pse formalisht është vend kandidat për në BE, studiuesi Timothy Less shprehet se nuk është i sigurt nëse Turqia do të mbështesë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, thuhet ndër të tjera në raport.

Ndërtimi i xhamive dhe veçanërisht ajo e Namazgjasë në Tiranë përmenden në artikull si një tjetër mënyrë që Turqia ka zgjedhur për të rritur influencën në rajon.

“Një mënyrë se si Turqia është parë duke ushtruar influencën e saj është në ndërtimin e xhamive të reja dhe riparimit të atyre që ndodhen në gjendje të rrënuar. Për shembull, Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e ndërtuar nga Turqia, do të jetë më e madhja në Ballkan”, thuhet në këtë raport.

Sa i përket ndikimit të Rusisë, dokumenti i Dhomës së Lordëve e shikon rolin e Moskës si kompleks dhe me qëllim largimin e Ballkanit nga BE dhe NATO.

Kina nga ana tjetër nuk paraqet shqetësim për Evropën pasi influencën e saj kërkon ta zgjerojë vetëm në fushën e ekonomisë, ndërkohë që nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështet integrimin e tyre në BE.

Arabia Saudite paraqitet si aktori më problematik në rajon, pasi ka dyshime të forta se mbështet grupet ekstremiste myslimane.

Ambasadori shqiptar në Londër, Qirjako Qirko ishte një prej diskutantëve në Dhomën e Lordëve, përfshirë përfaqësues të Ambasadës së Kosovës dhe shumë studiues dhe njohës të Ballkanit.

Londra përcakton objektivat e Samitit të Ballkanit Perëndimor, çfarë do u kërkohet kryeministrave

Të fundit