Flash News

KRYESORE

Raporti i vitit 1958, komunistët të parët në vjedhje

Raporti i vitit 1958, komunistët të parët në vjedhje

Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar një raport të vitit 1958 të prokurorit të Përgjithshëm, Aranit Çela, ku thuhet se komunistët ishin të shumtë në vjedhje të pasurisë socialiste, dhunimin e banesave dhe shtrëngimet për martesë, plagosje, shkelje të rregullave të komunikacionit, etj.

“Përqindja e komunistëve të proceduar në Rrethin e Tepelenës është më e larta në republikë. Për gjendjen e mësipërme dhe duke e lidhur me faktin se në përgjithësi për periudhën në fjalë në Rrethin e Tepelenës kemi një ngritje të kriminalitetit prej 35.72%, prokuroria e atjeshme këtë problem e ka shtruar në mbledhjen e përbashkët, duke njoftuar edhe në mënyrë të veçantë Komitetin e Partisë”, thuhet ndër të tjerash në raport.

Postimi i plotë i Kastriot Dervishit

1958/Komunistët të parët në vjedhje

Partia e Punës i mësonte anëtarët e vet se duhej të ishin shembull në shoqëri. Këtë e materializonin shpesh herë agjitimin e 10 cilësive të komunistit. Sipas tyre, komunisti duhej të ishte shembull në shoqëri, duhej të ishte i pari në sakrifica e i fundit në pretendime. Megjithëkëtë, raportet e kohës janë të shumta për komunistët që jo vetëm shkelnin disa ose të gjitha parime. Shifrat ishin shqetësuese. Një raport i prokurorit të përgjithshëm, Aranit Çela, thuhej se komunistët ishin të shumtë në vjedhje të pasurisë socialiste, dhunimin e banesave dhe shtrëngimet për martesë, plagosje, shkelje të rregullave të komunikacionit, etj.

***

Prokuroria e Përgjithshme

Drejtoria e Hetuesisë

Tiranë, 11.9.1958

Ju njoftojmë se nga analiza e kriminalitetit në Rrethin e Tepelenës për periudhën janar-korrik (1958), rezulton që 21.98% të të procedurave të jenë anëtarë dhe kandidatë partie. Krimet më të zakonshme për të cilat janë proceduar komunistët janë: vjedhje të pasurisë socialiste, dhunim banimi dhe shtrëngimi për martesë, plagosje, shkelje të rregullave të komunikacionit, etj. Për sa i përket vjedhjes së pasurisë socialiste, përqindja e komunistëve përfaqëson 50% të të proceduarve. Kështu p.sh. është proceduar në bazë të nenit 85 ish anëtari i partisë Haxhi Q., me detyrë magazinier në NSHFP Memaliaj, i cili qysh prej vitit 1955 përvetësonte në bashkëpunim me Rustem K., bir kulaku dhe shitës po atje. Manxhar M. nga Lekdushi ish kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Lokalitetit Memaliaj u procedua për vjedhjen e 7492 lekëve me anë të borderove false. Qani L., ish përgjegjës furre në NSHFP Memaliaj për vjedhjen e 12 thasëve, etj.

Theksojmë se përqindja e komunistëve të proceduar në Rrethin e Tepelenës është më e larta në republikë. Për gjendjen e mësipërme dhe duke e lidhur me faktin se në përgjithësi për periudhën në fjalë në Rrethin e Tepelenës kemi një ngritje të kriminalitetit prej 35.72%, prokuroria e atjeshme këtë problem e ka shtruar në mbledhjen e përbashkët, duke njoftuar edhe në mënyrë të veçantë Komitetin e Partisë. Për gjendjen e mësipërme mendoj se duhet ndërhyrë pranë Komitetit të Partisë së Rrethit të Tepelenës.

Prokurori i përgjithshëm, Aranit Çela

Të fundit