Flash News

KRYESORE

Rasti i gruas me talasemi, Meta kontakton drejtuesit e ‘Fiks Fare’: Paraprijmë me disa seanca të dhurimit të gjakut

Presidenti Ilir Meta është njohur me rastin e gruas së sëmurë me talasemi në Lushnjë, i denoncuar në emisionin ‘Fiks Fare’.

Lefteri Dedej nga fshati Konjati, kërkonte ndihmë sepse  prej 4 muajsh ajo ishte furnizuar vetëm një qese gjak.

Pasi u njoh me këtë rast, Meta fillimisht nëpërmjet kabinetit të tij kontaktoi drejtuesit e emisionit “Fiks Fare” dhe premtoi se në kuadrin e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” së shpejti do të organizonte një seancë dhurimi gjaku për t’i shkuar në ndihmë jo vetëm Lefteri Dedejt, por edhe të gjithë atyre banorëve në këtë bashki që kanë nevojë për gjak.

Meta dje priti së pari në zyrë znj.Dedej e më pas së bashku udhëtuan në një klinikë private, ku u organizua një seancë për dhurimin e gjakut nga studentë dhe të rinj për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Lushnjës që kanë nevojë.

“Është krijuar një shqetësim që unë mendoj që është e panevojshëm, por që për ju është jetik. Edhe unë jam njohur nga mediat për këtë shqetësim. Këto janë raste për të reflektuar dhe për të përmirësuar më mirë funksionimin e gjithë këtij mekanizmi pasi unë besoj se ne i kemi të gjitha kapacitetet që të mos kemi asnjëherë raste të tilla. Falënderoj edhe emisionin Fiks Fare për këtë raportim dhe shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten më”, - tha Presidenti Meta.

“Fushata jonë është e vazhdueshme, është në varësi me kërkesat dhe me dinamikën e nevojës për gjak dhe të mundësisë së dhurimit. Pra ne duhet të paralajmërohemi në kohë nga spitali i Lushnjes, nga spitali i Fierit apo ndonjë qendër tjetër që ato nuk kanë mundësi për të dhuruar gjak dhe atëherë ne i paraprijmë me disa seanca të dhurimit të gjakut që ë mos ketë asnjëherë mungesë. I gjithë ky kontribut do të shkojë për të gjithë ata qytetarë dhe fëmijë nga Lushnja të cilët vuajnë nga ky problem dhe kanë nevojë për dhurimin e gjakut në mënyrë sistematike”-, deklaroi Presidenti i Republikës.

Të fundit