Flash News

KRYESORE

Reagon kandidati për KLGJ: Ministër para 17 vjetësh, nuk kam anësi politike. Sillni një provë të vetme

Reagon kandidati për KLGJ: Ministër para 17 vjetësh, nuk kam

Ilir Panda një prej kandidaturave për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), në një prononcim për Politiko.al ka sqaruar pozicionin e vet në lidhje me debatin e fundit për kandidaturat për anëtarë të këtij institucioni. 

"Kushtetuta dhe ligji parashikojnë se, Anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit. Pra, nuk ka ndalim as për anëtarët e partive politike. Unë kam qenë ministër i Drejtësisë në vitet 1999-2000. Pra 17 vjet përpara kandidimit", thotë Panda.

Ai shton se është emëruar ministër duke qenë pedagog në Shkollën e Magjistraturës, dhe jo si përfaqësues i ndonjë partie politike, por si i pavarur. Panda sqaron se kjo është e evidentuar në të gjitha dokumentet në Kuvendin e Shqipërisë.   

Panda duke folur për Politiko ngulmon se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie politike, dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë forum të ndonjë partie politike apo ka kryer ndonjë aktivitet politik.

Duke folur për kohën kur ai ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai thekson një karakteristikë të çmuar të organeve kolegjiale. "Këto organe jo vetëm formalisht, por edhe përmbajtësisht lejojnë dhe garantojnë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e secilit prej anëtarëve. Se sa dhe si e përdorin anëtarët këtë është në vullnetin e secilit".

Panda ka qenë anëtar i KLD në vitet 2002-2007.  

Në fund, kandidati për anëtar i KLGJ 'sfidon' duke ftuar çdokënd që pretendon se "gjatë veprimtarisë time në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, madje edhe në veprimtaritë e tjera, paskam qenë i politizuar, të sjellë qoftë edhe një rast të vetëm kur unë, me veprimet e mia personale, kam treguar njëanshmëri politike.

Të fundit