Flash News

KRYESORE

Reagon QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë për aktivistët e PD: Po bashkëpunojmë me Mjekësinë Ligjore, gjithçka do sqarohet

Reagon QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë për aktivistët

Qendra Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë dhe Ministria e Shëndetësisë kanë reaguar pas njoftimit të policisë se rreth 76 aktivistë të PD që kanë marrë pjesë pasditen e djeshme në mitingun e hapjes së fushatës elektorale i janë drejtuar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotëm spitalit me simptoma skuqje dhe fryrje të fytyrës dhe syve.

Njoftim i QSUT:

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, njofton se në Urgjencën e Spitalit Francez nga orët e para të mëngjesit të ditës së dielë deri në orën 11.00, janë paraqitur 76 qytetarë të cilët paraqisnin ankesat në vijim: skuqje të fytyrës dhe syve, lotim, kruarje të syve dhe rrufë. Të gjithë qytetarët referojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Demokratike. Drejtoria e QSUT në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor të Shërbimeve të QSUT, morën menjëherë masat për trajtimin e këtyre pacientëve. Aktualisht, 5 pacientë po mbahen në observim në pavionin e Okulistikës nga një ekip multidisiplinar mjekësh specialistë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, pa komplikacione të rëndësishme. Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjekësisë Ligjore të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (28 maj 2017) janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pacientë me shenja të helmimit (intoksikacion) si: skuqje të syve, djegie të syve, irritim të shprehur të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe në raste të veçanta edhe vështirësi të lehtë në frymëmarrje. Sipas referimeve të marra nga mjekët në shërbim, të gjithë këta pacientë kanë qënë pjesmarrës në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, një natë më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës z.Lulzim Basha me simptoma të ngjashme. Ministria e Shëndetësisë po punon për evidentimin e rasteve edhe në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pjesa më e madhe e rasteve. 76 pacientë nga të cilët 9 janë shtruar në shërbimin e okulistikës dhe janë nën vëzhgimin e specialistëve.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Me respekt Prof. ass Gazment Koduzi Drejtor i Kabinetit.

Të fundit