Flash News

KRYESORE

Receta e gatimit të gjelit të detit dhe përsheshit, nga kuzhinieri i "Mullixhiut"

Mbase jo të gjithë keni pasur fatin të hani tek "Mullixhiu" (nëse nuk iu bie rruga duhet të gjeni rrugë me se s`bën) por është një nga restorantet në Shqipëri ku gatuhet shumë mirë ushqimi tradicional shqiptar. Nuk quhet se keni qenë në Tiranë, nëse nuk shkoni tek "Mullixhiu" të paktën njëherë.

Megjithatë, për të gjithë ata që kanë zgjedhur që këtë ndërrim vitesh ta kalojnë në shtëpi me familjen, kuzhinieri i "Mullixhiut", Dionis Tuci, do t`ju vijë në ndihmë se si të gatuani gjelin e detit me përshesh. Dionisi është prej pothuajse tre vitesh pranë kuzhinës së "Mullixhiut" dhe gatimet e tij preferohen shumë.

Ai ka qenë një ndër kuzhinierët që ka gatuar me ditë të tëra pranë të prekurve të tërmetit në Bubq dhe  është vlerësuar edhe me çmim "Mirënjohje" nga Bashkia e Tiranës, për kontributin e tij.

Kjo është receta sipas "Mullixhiu", ndaj vëmendjen në mësim!

PËRGATITJA:

Hapi 1

Pasi të keni përgatitur gjelin dhe hequr puplat e çdo papastërti, duhet të filloni me procesin e marinimit dhe çdo hap tjetër që do shpjegohet më poshtë. Bëni gati gjelin, të pastruar.

Hapi 2

Marinoni gjelin e detit me kripë dhe piper për vetëm pak minuta dhe hidhini pak ujë sa të mbulojë tepsinë. Futeni në furrë dhe lëreni për 2 orë në temperaturë 170 gradë. Gjelit duhet t`i hidhni dhe gjalpë sipër që të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Hapi 3

Përgatitja e kulaçit (përsheshit)

Gjatë kohës që është duke u pjekur gjeli në furrë, filloni përgatitjen e kulaçit. Për përgatitjen e tij nevojitet miell, ujë, kripë dhe sodë.

1- 1.5 kg miell misri

2 filxhan kafe me vaj

2 lugë çaji kripë

500-600 ml ujë

Me këta përbërës zini brumin, hapeni dhe pudroseni me miell dhe pastaj shtrojeni në një tavë. Futeni në furrë dhe piqeni për 30 minuta në një temperaturë 180 gradë.

Pasi është pjekur, lëreni të ftohet pak dhe më pas bëjeni përshesh.

Shtojini pak mente.

Më pas, me lëngun që ka krijuar gjeli i detit, përgatitni salcën për zbutjen e përsheshit.

Hapi 4

Përgatitja e salcës së përsheshit

Grini hollë një qepë dhe skuqini (dhe të brendshmet e gjelit nëse dëshironi). Shtoni lëngun e gjelit dhe pak ujë.

Pasi të ketë valuar për disa minuta shtojini përsheshin.

Hapi 5

Pasi të keni nxjerrë gjelin nga furra, futeni masën e përsheshit në barkun e gjelit  dhe shtojini pak vaj ulliri Mbështilleni gjelin me spango, në mënyrë që të mos hapet përsheshi.

Hapi 6

Merrni 3 fije letër furre dhe mbështilleni mirë gjelin. Më pas bëni mbylljen përfundimtare me letër alumini dh vendoseni edhe për 45 minuta të tjera në furrë për 180 gradë.

Ju bëftë mirë dhe Gëzuar!

 

Të fundit