Flash News

KRYESORE

Reforma e ujit, Rama: Nga 1 shkurti çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet. Veliaj: Kryeministri kishte të drejtë kur e vendosi kusht për rikandidimin

Është mbledhur sot Shoqata për Autonominë Vendore ku morën pjesë kryetarët e 45 bashkive nga i gjithë vendin dhe në fokus ishte reforma e ujit.

Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në mbledhje por e transmetoi atë në faqen e ‘Facebook’. Ai paralajmëron se nga 1 shkurti çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit.

“Kush ende nuk ka bërë lidhjen e ligjshme me ujësjellësin të nxitojë deri në 31 janar. Të ligjërojë marrëdhënien me ndërmarrjen e bashkisë përkatëse pa asnjë penalitet ligjor, ashtu siç kanë e po bëjnë me mijëra konsumatorë familjarë e biznese. Nga 1 shkurti çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit! Uji i pijshëm është pasuri e përbashkët, boll është vjedhur e shpërdoruar 27 vjet! Shumica nuk mund të paguajë më edhe për pakicën dhe shërbimi me ujë 24 orë në çdo shtëpi e biznes, arrihet duke vendosur në radhë të parë ligjshmërinë, pastaj duke rritur edhe investimet e jo borxhet falë kontributit të secilit sipas sasisë që konsumon”, shkruan Rama.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se Rama është treguar i drejtë me secilin prej tyre kur u ka vendosur kusht për rikandidimin menaxhimin e ujit.

“Kryeministri është treguar shumë i drejtë me secilin prej nesh kur ka thënë se një ndër arsyet kyç për vendimmarrjen e rikandidimit të anëtarëve të shoqatës sonë dhe kryetarëve të bashkive do të jetë menaxhimi i ujit. Për të gjithë ne ujësjellësi është ndërmarrja kryesore që kemi. Nëse si bashki mund të kemi karakteristika të ndryshme, një gjë na bashkon: jemi menaxherë të një ndërmarrje dhe aftësitë tona menaxheriale do i tregojmë sa jemi të aftë të menaxhojmë këtë ndërmarrje, që pothuajse e kemi të gjithë njësoj në terma të performancës të asaj që kemi”, tha Veliaj.

Të fundit