Flash News

KRYESORE

“Rehabilitohen 300 qendra shëndetësore”, ministrja Manastirliu “harron” të tregojë burimin e financimit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka qenë sot e pranishme në Roskovec, ku ka ndjekur nga afër punimet që po bëhen për rehabilitimin e një qendre shëndetësore në zonë.

Në faqen e Ministrisë por dhe në faqen e saj në Facebook, teksa janë shpërndarë fotot e vizitës, është publikuar deklarata e ministres.

Ndër të tjera, ministrja shprehet se kjo qendër po transformohet për t’u shndërruar në qendër model të shërbimit parësor 24/7.

“Veç ndryshimit rrënjësor të infrastrukturës, mjekët janë trajnuar dhe pajisur me çantën e mjekut, për të ofruar shërbim shëndetësor kudo ku është nevoja. Kjo nuk është qendra e vetme që po rehabilitohet por vetëm në qarkun e Fierit janë 11 qendra shëndetësore që rikonstruktohen këtë vit. Është nisur programi kombëtar për rehabilitimin e #300 qendrave shëndetësore, në mënyre që shërbimi për qytetarët të jetë me të njëjtin standart nga veriu në jug. 80 qendrat e para në të gjithë vendin po rehabilitohen këtë vit #MShMS”, shkruhet në faqet zyrtare të Ministrisë.

Mirëpo, Politiko.al mëson se në fakt rehabilitimi i qendrës shëndetësore të Roskovecit, si dhe tre të tjerave në qarkun e Fierit, po kryhet me financim nga qeveria zvicerane.

Këtë e dëshmon dhe njoftimi i publikuar në website-n e projektit “Projekti Shëndet për të Gjithë” (HAP), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Por siç duket, Ministrja Manastirliu ka “harruar” të tregojë burimin e financimit.

Të fundit