Flash News

KRYESORE

Rektori i ‘Bujqësorit’ nuk reziston më shumë se 3 ditë; Bashkia: Marrëveshje që shkolla të ndërtohet

Rektori i ‘Bujqësorit’ nuk reziston më shumë se 3

Vetëm tre ditë pasi u thirr në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar mbi procedurën e lëvrimit të një fondi prej 640 mijë dollarë, me qëllim ndërtimin e një murri rrethues dhe një porte, Bahri Musabelliu, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, ka dalë me një deklaratë në favor të kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Ndërtimi i shkollës është domosdoshmëri për komunitetin”, u shpreh sot zëdhënësi i Senatit të UBT-së lidhur me debatin që është ngritur së fundmi.

Studentë, pedagogë dhe dekanë kundërshtojnë vendimin e bashkisë së Tiranës për të ndërtuar në fidanishten e universitetit një shkollë 9-vjeçare. Disa muaj më parë, Veliaj shkoi aty për të mbjellë disa pemë, ndërsa tani ka vendosur t’i shkulë për shkak të planit për shkollën.

Por protestuesit akuzojnë se plani për shkollën fsheh nga mbrapa ndërtimin e disa pallateve shumëkatëshe. Kjo akuzë është bërë edhe nga Partia Demokratike.

Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës së senatit të UBT-së, edhe bashkia e Tiranës nisi një reagim ku njoftonte për arritjen e marrëveshjes me Universitetin Bujqësor. Në reagim nuk jepet asnjë detaj mbi këtë marrëveshje, pasi toka ku do planifikohet të ngrihet shkolla nuk është pronë e universitetit, por protestuesit e konsiderojnë pjesë vitale për kampusin.

Pra kryebashkiaku Veliaj nuk sqaron se çfarë marrëveshje ka nënshkruar me UBT-në, por ashtu si edhe në rastin e Teatrit Kombëtar, kjo deklaratë mjafton për t’i propaganduar publikut se “pedagogët janë me ne.”

Ndërkohë, në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar procedimi penal ndaj rektorit Musabelliu për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Hetimet nisën vetëm pak ditë pasi në UBT kishin filluar protestat kundër planit të bashkisë. Shumë protestues e konsiderojnë këtë veprim të prokurorisë si presion ndaj rektorit.

Ky i fundit, u tërhoq menjëherë dhe doli kundër pedagogëve dhe studentëve për shkak të akuzës për shpërdorimin e 640 mijë dollarëve.

Gjithsesi, studentët, pedagogët dhe dekanët shprehen të vendosur për të vijuar protestat për të ruajtur kampusin e universitetit.

Të fundit