Flash News

KRYESORE

`Rënia e zgjedhjeve`: Nga 92 përqind në vitin '92, në 47 përqind në vitin 2017. Çfarë ka ndodhur?

`Rënia e zgjedhjeve`: Nga 92 përqind në vitin '92, në

Një grafik i Politiko.al punuar mbi të dhëna të Institutit të Studimeve Politike (vota.al), jep një panoramë të pazakontë të pjesëmarrjes në zgjedhje, duke filluar nga vitit 1991 e deri më tani.

Në vitin 1991, zgjedhjet e para pluraliste, me pjesëmarrjen e disa partive, shënojnë edhe 'gatishmërinë e lartë' të masës së votuesve, plot 99 përqind. Një vit më vonë, në zgjedhjet e marsit 1992, kjo shifër pësoi një rënie, duke mbetur megjithatë e lartë, 92 përqind.

Zgjedhjet e para të menaxhuara nga një formacion politik, që nuk ishte Partia e Punës së Shqipërisë (ndryshe nga '91 dhe '92), por nga Partia Demokratike, që edhi në pushtet në zgjedhjet e para katër viteve, shënoi një tjetër rënie të lehtë. 89 përqind e shqiptarëve me të drejtë vote shprehën vullnetin e tyre në zgjedhjet e vitit 1996.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 1997, të zhvilluara në një gjendje gjysmë lufte, pas rebelimit majtist dhe rënies së piramidave, regjistron tkurrjen e parë domethënëse. Sërish pjesëmarrja ishte e respektueshme, duke qenë se, pavarësisht vështirësive dhe pasigurisë, 73 përqind e atyre me të drejtë vote u paraqitën për të thënë mendimin e tyre. Kjo ishte rënia e parë e fortë e grafikut, me 16 përqind më pak se një vit më parë.

Katër vjet më vonë, 2001, fillon edhe teposhta e vërtetë e pjesëmarrjes. 55 përqind e përdorën të drejtën e votës duke shënuar një rënie prej 44 përqind, krahasuar me zgjedhjet e një dekade më parë dhe 18 përqind më pak se katër vjet më parë.

Prej vitit 2001, shqiptarët bëhen gjithnjë e më abstenues. Pas katër vitesh, 49 përqind e atyre në moshë dhe të drejtë votimi, i thonë po kësaj të drejte, pra 6 përqind më pak. Në vitin 2009, shohim një rritje të lehtë me 2 përqind, ndërsa në vitin 2013, një tjetër rritje po të lehtë në masën po 2 përqind, duke e ngritur pak 'afrimitetin' me zgjedhjet, në 53 përqind.

Katër vjet më vonë, rikthehet 'rënia', duke shënuar edhe kuotën më të ulët të pjesëmarrjes, me 47 përqind. Ky vit shënon edhe pjesëmarrjen më të ulët që nga viti 1991.

Dy gjëra vihen re në grafik: në dekadën e parë të hapjes, shprehja e vullnetit politik është një 'sport popullor', nga 99 përqind në vitin 1991, në 73 përqind në vitin 1997.

Ndryshimi fillon me vitet 2000, duke rënë menjëherë në 55 përqind, për të mos u ngritur më kurrë mbi këtë nivel. Për të rënë në mënyrë drastike në vitin 2017.

Çfarë ka ndodhur? Ka analistë që ia mveshin rënien një sindromi të përgjithshëm botëror, një 'limontie të modernitetit', që e kthen qytetarin në një 'abstenues kronik' dhe të painteresuar. Mbrojtësit e këtij argumenti theksojnë se, edhe Shqipëria është prekur nga 'cenet e Perëndimit', pasi edhe në vendet e zhvilluara pjesëmarrja në votime është e ulët.

Ka edhe një qasje tjetër. Shpresa, idealizmi i ofertës politike, dhe besimi te ndryshimi që dukeshin qartë te pjesëmarrja në zgjedhje në vitin 1991, 1992 dhe, madje edhe në 'vitin e mbrapshtë' 1997, në mes të luftës, ka rënë. Shqiptarët e kanë humbur besimin te partitë politike dhe te oferta e tyre; kanë rënë ndarjet ideologjike; ka rënë interesi për politikën. Në mes ka hyrë zhgënjimi.

Sidoqë të jetë, rasti i këtij viti, pavarësisht depresionit, na vë përballë një fakti depresiv: të gjithë shqiptarët qeverisen nga një parti që ka votëbesimin e 20 përqind të tyre.

 ©Politiko.al

Të fundit