Flash News

KRYESORE

Replikat për çmimin 10 mijë euro/ Ardian Vehbiu: më quajnë detraktor të Kadaresë, traktorët e tij  

Replikat për çmimin 10 mijë euro/ Ardian Vehbiu: më

Pas një shkrimi në Peizazhe të Fjalës ku Ardian Vehbiu ndalej mbi një lajm sipas të cilit fituesit e Çmimit Kadare nuk i kanë marrë 10 mijë eurot e akorduara publikisht, ka reaguar koordinatorja e Çmimit, Alda Bardhyli me një shrim në Gazeta Liberale, të rimarrë edhe nga Politiko.al. Bardhyli e quantë Vehbiun 'një detraktor të vjetër të Kadaresë'.

Botuesi i 'Peizhazhe të fjalës' është përgjigjur në revistën e tij online duke i quajtur 'traktorë të Kadaresë' Bardhylin e  të tjerë 'që rrijnë me leckë në dorë për të fshirë monumentin prej kartoni të shkrimtarit'.

Më poshtë një pjesë e reagimit të Vehbiut:

Para dy ditësh, publikova te Peizazhet një shkrim ku argumentoja nevojën për transparencë, në lidhje me honorarin e Çmimit Kadare që u është dhënë realisht fituesve (Me këtë çmim fitojnë të gjithë).

Ky shkrim mbështetej dhe referohej mbi një informacion të përcjellë nga mediat në Tiranë dhe në Kosovë, se njërit prej fituesve, Musa Ramadanit, nuk i është dhënë honorari (p.sh. (këtu dhe këtu).

Aty përsëritja edhe një qëndrim timin të shprehur edhe më herët, se emërtimi i një çmimi letrar sipas një autori që është i gjallë dhe aktiv, si Kadareja, është gabim.

Tani shoh se ndaj këtij shkrimi paska reaguar Alda Bardhyli te Gazeta Liberale, me një përgjigje që rrëshqet menjëherë në ad hominem, siç edhe mund të pritej.

Ndërhyrja ime e fundit kontekstualizohet tani si në vazhdën e “qëndrimeve të mia të njohura për të mohuar çdo gjë që lidhet me emrin e Kadaresë.”

A thua se fakti që një ent privat ka vendosur ta quajë një çmim me emrin e një shkrimtari me prestigj, e mbroka këtë çmim nga kritikat, sepse përndryshe u “mohoka” emri përkatës.

Sipas së njëjtës logjikë, mund të ngrihej dikush dhe të thoshte se emrin e Kadaresë në fakt e ka përdhosur ai ent që ia ka dhënë emrin një çmimi tani të përfolur keqaz.

Por unë refuzoj të jem pjesë e kësaj komedie ku po duan të më tërheqin pa arsye.

Kur më cilëson si “detraktor të vjetër të Kadaresë” (mos e humbisni këtu epitetin të vjetër – si në ca tablo sinoptike që i dimë, qëndrimet e mia të tanishme i kanë rrënjët që në Vitet e Luftës Nacional-Çlirimtare) Alda Bardhyli vetëm sa e fut vullnetarisht veten në një grup njerëzish që duan të ndërtojnë status dhe reputacion, duke i ndenjur me leckë në dorë statujës prej kartoni që ia kanë ngritur shkrimtarit.

Le të mos harrojmë se ç’u bë shkas për këto radhë: lajmi se çmimi “Kadare” nuk i është paguar njërit prej fituesve, Musa Ramadanit.

Pyes: a është sulm dhe “detraksion” ndaj Kadaresë të kërkosh transparencë në lidhje me këtë çmim?

Pyes: çfarë do ta “detraktonte” Kadarenë e Bardhylit dhe të Institutit Pashko, më shumë se insinuata e shprehur publikisht – nuk po them mundësia – që këta mund të mos kenë qenë tërësisht transparentë me çmimin e tyre?

Them publikisht, sepse thashetheme që honorari i çmimit Kadare nuk u ishte paguar fituesve qarkullonin prej kohësh në Tiranë – por deri kur doli lajmi për Ramadanin, i kisha gjykuar si pa bazë dhe si të padenja për vëmendje. Por tani jo më…

Pyes: çfarë i pengon këta njerëz, duke filluar nga Bardhyli, që të japin një shpjegim të qartë të mënyrës si e kanë livruar honorarin prej 10 mijë eurosh të çmimit në vite, në vend që të përshkruajnë tani pa lidhje aktivitete anësore dhe public relations?

Pyes: pse vallë po e shpërndajnë vëmendjen, duke nxjerrë nga sirtari këta “canards” të vjetër, të A.V. “detraktor” të Kadaresë?

Lajmin për Musa Ramadanin nuk e dhashë unë, as e nxora unë në faqet e para të mediave të Tiranës. Apo mos vallë unë duhet t’i kisha qëndruar larg këtij muhabeti, për shkak të rrezikut se mos më akuzonin sërish si “detraktor”, siç edhe bëri tani Bardhyli?

Pyes: ç’dreqin hyj unë në këtë katrahurë?

I plotë këtu

Të fundit