Flash News

KRYESORE

Reportazh me foto/ Në landfillin e Porto Romanos, ose pamje nga murtaja

Fotot dhe teksti: Jona Kazani / Politiko.al

Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në zonën e Porto Romanos, në Durrës, vazhdon të jetë burim i ndotjes së mjedisit dhe burim i sëmundjeve, për shkak te lëndëve toksike që çlirohen nga dekompozimi apo djegia e tyre.

Edhe pse banorët kanë ngritur disa herë zërin për gjendjen alarmante të zonës, Qeveria dhe Bashkia e Durrësit nuk kanë bërë asgjë për përmirësimin e situatës.

Ende pa iu afruar landfillit të Porto Romanos, që nga larg duket një smog i mbingarkuar me grimca të vogla pluhuri që mjergullon pamjen tutje.

Teksa afrohesh, frymëmarrja bëhet më e vështirë, pasi smogut i shtohet edhe era mbytëse e mbetjeve, që ngjason me atë të kafshëve të ngordhura.

Dikush me organizëm të dobët dhe hundë të ndjeshme mund të ketë të vjella e marramendje. Por, ky vend nuk është shqetësues vetëm për aparatin e frymëmarrjes, shikimi gjithashtu fillon e turbullohet.

Grimcat e smogut me erë të qelbur nuk e kanë të vështirë të kalojnë barrierën e qerpikëve dhe të futen në sy, duke bërë që muskujt e tyre të tkurren dhe të minimizojnë pamjen e turbulluar nga ndotja. Në pellgjet e llucës formuar nga shiu dhe mbetjet zhgërryhen një tufë derrash.

Këta ‘rezidentë të fëlliqësisë’, të cilët banorët i rrisin për t’u shitur mishin, notojnë nëpër llucën e zezë me gaze helmuese, rrotullohen e zhyten me kokë, e më pas dalin me përtaci nga pellgu toksik për të konsumuar mbetje plastike, letre apo gjithfarë lloji. Ashtu, me trupin e mbuluar me baltë, zvarriten në sheshin plot pluhur, duke krijuar në lëkurën e tyre të trashë një shtresë të re brumi prej dheu.

Derrat, që ushqehen me lëndët helmuese të landfillit, nuk përbëjnë alarm të aty-për-atyshëm vetëm për sytë dhe hundët. Mishi i tyre shpejt do të tregtohet në thertoret e Durrësit apo qyteteve të tjerë, për t’u bërë më pas ushqim për tryezat e konsumtorëve shqiptarë.

Nuk janë vetëm derrat, kafshë që automatikisht ne i shoqërojmë me baltën; nëpër sipërfaqen sulfurore të landfillit sheh të baresin edhe lopë. Çfarë kullote për kafshët e mjera dhe çfarë mishi për shqiptarët e shkretë!

Frymëmarrja e rënduar nga ajri i rëndë dhe era e keqe, shikimi i mjergulluar nga pluhuri dhe smogu, shoqërohet, pa kaluar shumë, me dhimbje koke. Nuk mund të flitet për cilësi ajri dhe jete në zonën e banuar që rrethon landfillin e Porto Romanos.

Ndërkohë që ‘derrat e kënaqur’ pozojnë të shtrirë para kamerës, banorët e zonës, edhe ata të vuajtun, por aspak sokratikë, betohen për kishë se, po i nxore në televizor do të të denoncojnë. A a thua gazetarët janë armiqtë.

Ka mes tyre edhe nga ata që, të revoltuar, shprehin me zë të lartë shqetësimin e madh për këtë zonë të sakrifikuar nga industrializimi dhe konsumerizmi, i pa shoqëruar me standarde mjedisore.

Pyetjet për ta janë të pakuptimta: mjafton të drejtojnë gishtin te krateri mjedisor nën këmbët e tyre, i cili nuk ka nevojë për komente dhe fjalë. Landfilli është qartazi një gropë apo ‘projekt kundër jetës’, dhe në emër të saj, fëmijë të vegjël, ndoshta 7 apo 8-vjeçarë, rendin me vrap nëpër këtë “Çernobil mbetjesh”, duke mbajtur shkopinj në dorë, profilaksia e tyre për t’u mbrojtur kur gërmojnë për të nxjerrë kanoçe alumini nga grumbujt e plehrave.

Fëmijë që gërmojnë në plehra dhe derra që gërmojnë në llucë. Orë të tëra nën pikun e vapës dhe ajrit helmues, vetëm për të ngrënë një simite në fund të ditës dhe për të lëpirë një akullore, gjithmonë nëse iu teprojnë qindarkat.

Ajri i shtresës së ‘cernobiliane”, arrin të depërtojë thellë në lëkurë, flokë dhe rroba saqë, edhe kur ke lënë Durrësin për t’u kthyer në Tiranë, era mbytëse vazhdon të të shoqërojë. Si makth i jetës së të tjerëve që mund të ishte jeta jote ose e të afërmve të tu.

Këto ishin disa orë tonat në landfillin e Porto Romanos, për të përshkruar një ditë të atyre që e jetojnë atë tmerr sot e përditë.

 

Të fundit