Flash News

OP-ED

Rimoralizimi i Tregut: Përgjigjia e drejtë për populizmin ekonomik

Rimoralizimi i Tregut: Përgjigjia e drejtë për populizmin

David Brooks/ The New York Times

 

Papritur, populizmi ekonomik është në krye të ccdo zemërimi. Në monologun e tij, tashmë të famshëm, në Fox News, Tucker Carlson argumentoi se elitat amerikane po përdorin forcat e pamëshirshme të tregut për të pasuruar veten dhe për të mjeruar gjithë të tjerët. Në ndalesat e fushatës, Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren po tregojnë versione të krahut të majtë të së njëjtës histori.

Në një epokë të emocionalizmit fisnor, gjithmonë do jesh në gjendje të bësh një splash duke e zvogëluar një problem kompleks në një narrativë të thjeshtë, që e ndan botën në të virtytshëm, ne, dhe në të këqijtë, bankierët. Por, unë do të tregoj një histori të tretë rreth gjendjes sonë aktuale, e cila nuk është as populizëm ekonomik, as fundamentalizëm i tregut të lirë.

Historia ime fillon në vitet 1970. Ekonomia ishte e sëmurë. Korporatat ishin të fryra. Sindikatat ishin lakmitare. Normat e taksave ishin shumë të larta dhe kornizat rregullatore ishin shumë të ngushta. Duhej të rivendosnim dinamizmin ekonomik.

Kështu, në vitin 1978, Jimmy Carter nënshkroi një ligj për taksat  që i uli normat e taksave individuale dhe të korporatave. Senatori Ted Kennedy udhëhoqi përpjekjet për të derregulluar industrinë ajrore dhe atë të trucking (transportit me kamionë).  Kur mori Presidencën, Ronald Reagan e ccoi edhe më lart këtë prirje.

Në thelb, kjo funksionoi. Që nga ajo kohë, ne kemi patur katër bume të gjata ekonomike. Por, ka pasur një ndryshim interesant kulturor që ndodhi përgjatë rrugës. Në një shoqëri të shëndetshme, njerëzit përpiqen të balancojnë një numër të madh prioritetesh të ndryshme: ekonomike, sociale, morale, familjare. Në 40 vitet e fundit, prioritetet ekonomike morën vendin e parë dhe zhdukën gjithçka tjetër. Në fokusin e poltikave, ekonominë e privilegjuam dhe, si pa ndjerë, nuk mundëm më të shihnim se mund të kishte përparësi të tjera.

Për shembull, ka pasur një ndryshim goditës në mënyrën se si korporatat shohin veten. Në kohë normale, korporatat i shërbejnë shumë palëve të interesit - klientëve, punonjësve, qyteteve në të cilat ato janë të vendosura. Por, këto ditë, korporatat e shohin veten si shërbyese të një qëllimi dhe një pale- maksimizimit të vlerës për aksionerët. Investitorët aktivistë kërkojnë që çdo kompani, pamëshirshëm, të ulë kostot e punonjësve dhe t'i tregojë bërrylin komunitetit, nëse kjo do të rriste çmimin e aksioneve në terma afatshkurtër.

Ne i fikëm lentet morale. Ju ndoshta e dini shembullin e qendrave të kujdesit ditor në Izrael. Prindërit vazhdonin të shfaqeshin vonë për të marrë fëmijët. Për të rregulluar problemin, qendrat eksperimentuan me gjobat për prindërit e vonuar. Por, pas gjobave numri i  të vonuarve u dyfishua. Më parë të marrit e fëmijës në kohë, ishte një detyrim moral - të jesh i drejtë me punonjësit e kujdesit ditor. Pas kësaj, ajo u pa si një transaksion ekonomik. Prindërit ishin të lumtur që paguanin dhe të vonoheshin. Ne, pak a shumë, e bëmë këtë si shoqëri e tërë - e pamë botën përmes një lenteje thjesht ekonomike.

Një kombinim vdekjeprurës i fondamentalizmit të tregut të lirë të krahut të djathtë dhe i relativizimit moral të krahut të majtë, çoi në zhdukje të normave morale dhe kodeve të përbashkëta të sjelljes së mirë. Ne ia hoqëm tregut kontekstin moral dhe shoqëror dhe e lamë të veprojë thjesht sipas rregullave të veta. Ne e bëmë tregun prift dhe dhomë rrëfimi.

Shoqëria filloi të shihej si një koleksion i atomizuar i njësive ekonomike individuale që ndiqnin interesin vetjak. Egoizmi u normalizua. Siç Steven Pearlstein thotë në librin e tij të mrekullueshëm "A mund të mbijetojë kapitalizmi amerikan?"  Can American capitalism survive?: "Kodet e modës së vjetër të besnikërisë, bashkëpunimit, ndershmërisë, barazisë dhe dhembshurisë nuk duket se zbatohen në sferën ekonomike".

Çdo gjë, brenda ligjit, që mund të bëje për të fituar para, ishte në rregull. Një rrogë 1 miliard dollarëshe për një menaxher hedge fund? E pranueshme pas asnjë qeder. Korporata Apple ekziston për shkak të institucioneve amerikane. Por, siç thekson Pearlstein, Apple e parkoi pronësinë e vet intelektuale në një nëndegë irlandeze, që të mund të shmangte pagesën e taksave në Amerikë dhe mbështetjen e këtyre institucioneve. Kjo i kurseu 9 miliard dollarë vetëm në vitin 2012. Kjo është dukshëm sjellje korruptive. Punonjësve të Apple duhet t'ju vijë turp.

Por, sot, amoralizmi i Wall Street qeveris vendimmarrjen e korporatave. Pearlstein citon Carl Icahn: "Unë nuk besoj te fjala "e drejtë"." Kështu që Apple nuk e pagoi një çmim në reputacion kur ia hodhi vendit të vet.

Besimi shoqëror lind nga një kontratë: i jap shoqërisë sime, qytetit tim dhe qeverisë sime, dhe ata ma kthejnë. Por ajo kontratë u shqye. Tani perceptimi i përgjithshëm është: Kur jap, ata marrin. Teksa i ndamë individët nga normat morale tradicionale, ne ndamë kompanitë nga normat sociale. Qeniet njerëzore janë kafshë morale, dhe papritmas kafshët morale amerikane e panë  veten në një sistem ekonomik amoral, i cili dukej gjithnjë e më tëhuajësues dhe vulgar.

Përfunduam me getoizimin e të suksesshmëve, dhe në shumë pjesë të vendit kemi arritur të shkatërrojmë besimin social që është në të vërtetë një parakusht për prosperitetin ekonomik.

Kapitalizmi është një sistem i mrekullueshëm. Populistët vazhdojnë të jetojnë në vitin 2008, kur kriza financiare ua justifikoi të gjitha paragjykimet. Ata shpërfillin çdo gjë -që nga 19 milion vendet e punës të krijuara, dhe se si pagat tani po rriten me 3.2 për qind.

Por, kapitalizmi duhet të futet në shtratin e normave morale dhe duhet t'i shërbejë një të mirë sociale më të madhe. Rimoralizimi dhe risocializimi i tregut është projekti i madh i momentit. Çështja kryesore nuk është: Si mund të kemi një ekonomi të mirë? Është: Si mund të kemi një shoqëri të mirë? Si mund të kemi një shoqëri në të cilën është më e lehtë të jesh një person i mirë?

Të fundit