Flash News

OP-ED

Rinovimi i Europës: tri rrugë

Rinovimi i Europës: tri rrugë

EMMANUEL MACRON

Kurrë, që nga Lufta e Dytë Botërore, Europa nuk ka qenë kaq thelbësore. Megjithatë, Europa nuk ka qenë kurrë në rrezik aq të madh. Brexit qëndron si simbol i kësaj. Ajo simbolizon krizën e Europës, e cila nuk ka arritur t'i përgjigjet nevojave të popujve të saj për t'u mbrojtur nga goditjet e mëdha të botës moderne. Ajo gjithashtu simbolizon kurthin europian. Ky kurth nuk është të qenit pjesë e Bashkimit Europian. Kurthi është te gënjeshtrat dhe papërgjegjshmëria që mund ta shkatërrojnë atë.

Kush ia tha popullit britanik të vërtetën për të ardhmen e tyre pas Brexit? Kush u foli atyre për humbjen e aksesit në tregun europian? Kush i përmendi rreziqet për paqen në Irlandë pas rivendosjes së kufirit të mëparshëm? Rikthimi nacionalist nuk ofron asgjë; është refuzim pa një alternativë. Dhe ky kurth kërcënon të gjithë Europën: kalorësit e zemëratës, mbështetur nga lajmet e rreme, premtojnë asgjë dhe çdo gjë.

Ne duhet të qëndrojmë të fortë, krenarë dhe të kthjellët, përballë këtij manipulimi dhe të themi, para së gjithash, atë çka është Europa e bashkuar e sotme. Është një sukses historik: pajtimi i një kontinenti të shkatërruar në një projekt të pashembullt të paqes, prosperitetit dhe lirisë. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë. Dhe ky projekt vazhdon të na mbrojë sot. Cili vend mund të veprojë më vete përballë strategjive agresive nga fuqitë kryesore? Kush mund të pretendojë të jetë sovran, vetë, përballë gjigantëve digjitalë?

Si do t'i rezistojmë krizave të kapitalizmit financiar pa euron, që është një forcë për të gjithë Bashkimin Europian? Europa është gjithashtu ato mijëra projekte të përditshme që kanë ndryshuar fytyrën e rajoneve tona: shkolla e rinovuar, rruga e ndërtuar dhe ardhja e shumëpritur e internetit me shpejtësi të lartë. Kjo luftë është një angazhim i përditshëm, sepse Europa, si paqja, nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë. Unë vazhdoj pa u lodhur, në emër të Francës, për ta çuar Europën përpara dhe për të mbrojtur modelin e saj. Ne kemi treguar se ajo që na është thënë ishte e paarritshme, krijimi i një aftësie mbrojtëse europiane dhe mbrojtja e të drejtave sociale, ishte në fakt e mundur.

Megjithatë, ne duhet të bëjmë më shumë dhe më shpejt, sepse ka një kurth tjetër: kurthin e status quo-së dhe dorëheqjes. Të ballafaquar me krizat më të mëdha në botë, shpesh qytetarët na pyesin: "Ku është Europa? Çfarë po bën Europa? "Ajo është bërë një treg pa shpirt në sytë e tyre.

Megjithatë, Europa nuk është thjesht një treg. Është një projekt. Tregu është i dobishëm, por nuk duhet të pakësojë nevojën për kufij që mbrojnë dhe vlera që na bashkojnë. Nacionalistët janë të gabuar kur pretendojnë të mbrojnë identitetin tonë duke u tërhequr nga Europa, sepse është qytetërimi europian që na bashkon, na çliron dhe na mbron. Por ata që mendojnë se asgjë nuk duhet ndryshar, po ashtu janë të gabuar, sepse mohojnë frikërat e ndjera nga popujt tanë, dyshimet që dëmtojnë demokracitë tona. Ne jemi në një moment thelbësor për kontinentin tonë, një moment kur së bashku ne kemi nevojë për të rishpikur politikisht dhe kulturalisht formën e qytetërimit tonë në një botë në ndryshim. Është momenti për rinovimin europian. Prandaj, duke i rezistuar tundimit të izolimit dhe ndarjeve, unë propozoj që ta ndërtojmë këtë ripërtëritje së bashku rreth tri ambicieve: lirisë, mbrojtjes dhe përparimit.

Mbrojmë Lirinë Tonë

Modeli europian bazohet në lirinë e njeriut dhe në diversitetin e opinioneve dhe krijimit. Liria jonë e parë është liria demokratike: liria për të zgjedhur udhëheqësit tanë teksa fuqi të huaja kërkon të ndikojë në votën tonë në çdo zgjedhje. Unë propozoj krijimin e një Agjencie Europiane për Mbrojtjen e Demokracive, e cila do t'i sigurojë çdo shteti anëtar ekspertë europianë për të mbrojtur proceset e tyre zgjedhore kundër sulmeve kibernetike dhe manipulimeve. Në këtë frymë të pavarësisë, ne duhet të ndalojmë financimin e partive politike europiane nga fuqitë e huaja. Duhet të kemi rregulla europiane që dënojnë të gjitha nxitjet për urrejtje dhe dhunë në internet, pasi respekti për individin është themeli i qytetërimit tonë të dinjitetit.

Mbroni kontinentin tonë

I themeluar mbi pajtimin e brendshëm, BE ka harruar të shikojë realitetet e botës. Megjithatë asnjë komunitet nuk mund të krijojë një ndjenjë përkatësie nëse nuk ka kufij që mbron. Kufiri është liria në siguri. Prandaj ne duhet të rishikojmë zonën Shengen: të gjithë ata që duan të jenë pjesë e saj duhet të përmbushin detyrimet e përgjegjësisë (kontrollet e rrepta kufitare) dhe solidaritetin (një politikë azili me të njëjtat rregulla pranimi dhe refuzimi). Do të na duhet një forcë e përbashkët kufitare dhe një zyrë europiane për azilin, detyrime të rrepta kontrolli dhe solidaritet europian, në të cilin secili vend do të kontribuojë nën autoritetin e Këshillit Europian për Sigurinë e Brendshme. Në çështjen e migracionit, besoj në një Europë që mbron vlerat e veta dhe kufijtë e saj.

Të njëjtat standarde duhet të zbatohen për mbrojtjen. Progres i konsiderueshëm është bërë në dy vitet e fundit, por ne kemi nevojë për të vendosur një kurs të qartë: një traktat mbi mbrojtjen dhe sigurinë duhet të përcaktojë detyrimet tona themelore në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët tanë europianë: rritje të shpenzimeve të mbrojtjes, një klauzolë të vërtetë operative të mbrojtjes reciproke, dhe Këshilli Eiropian i Sigurisë, me Mbretërinë e Bashkuar pjesë e tij, për të përgatitur vendimet tona kolektive.

Kufijtë tanë gjithashtu duhet të garantojnë konkurrencë të ndershme. Cila fuqi në botë do të pranonte tregtinë e vazhdueshme me ata që nuk respektojnë asnjë nga rregullat e tyre? Nuk mund të vuajmë në heshtje. Ne duhet të reformojmë politikën tonë të konkurrencës dhe të riformësojmë politikën tonë tregtare me ndëshkime ose ndalim në Europë për bizneset që komprometojnë interesat tona strategjike dhe vlerat themelore siç janë standardet mjedisore, mbrojtjen e të dhënave dhe pagesën e drejtë të taksave; dhe miratimin e preferencës europiane në industritë strategjike dhe prokurimin tonë publik, si konkurrentët tanë amerikanë dhe kinezë.

Rikthe Shpirtin e Progresit

Europa nuk është një fuqi e dytë. Europa, në tërësinë e saj, është një pararojë: ajo gjithmonë ka përcaktuar standardet e përparimit. Për këtë, ajo duhet të shtyjë përpara një projekt konvergjence më shumë sesa konkurrence: Europa, ku është krijuar siguria sociale, duhet të prezantojë një mburojë sociale për të gjithë punëtorët, nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, duke garantuar pagën e njëjtë në të njëjtin vend pune, dhe një pagë minimale europiane të përshtatshme për çdo vend dhe të diskutuar kolektivisht çdo vit.

Duke u kthyer në rrugën e duhur sa i takon progresit gjithashtu duhet t'u prijë edhe kauzave ekologjike. A do të jemi në gjendje t'i shohim fëmijët tanë në sy nëse nuk e shlyejmë borxhin tonë ndaj klimës? BE duhet të vendosë objektivin e saj - zero karbon deri në vitin 2050 dhe pesticidet e përgjysmuara deri në vitin 2025 - dhe t'i përshtasë politikat e saj në përputhje me masat e tilla si një Bankë Europiane Klimatike për të financuar tranzicionin ekologjik, një forcë europiane të sigurisë ushqimore për të përmirësuar kontrollet tona ushqimore dhe kundër kërcënimit të lobeve, vlerësimit të pavarur shkencor të substancave të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin. Ky imperativ duhet të drejtojë të gjithë veprimet tona: nga Banka Qendrore Europiane në Komisionin Europian, nga buxheti Europian në Planin e Investimeve për Europën. Të gjitha institucionet tona duhet të kenë klimën si mandatin e tyre.

Progresi dhe liria do të thotë të në gjendje të jetosh nga puna jote: Europa duhet të shikojë përpara për të krijuar vende pune. Kjo është arsyeja pse ajo ka nevojë, jo vetëm për të rregulluar gjigandët digjitalë globalë, duke vendosur mbikqyrjen europiane të platformave kryesore (dënime të shpejta për konkurrencën e pandershme, algoritmet transparente etj.), por edhe për të financuar inovacionin duke i dhënë Këshillit të ri Inovativ Europian buxhet në të njëjtin nivel me Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të udhëheqë përparime të reja teknologjike si inteligjenca artificiale.

Një Europë e orientuar drejt botës duhet të shikojë drejt Afrikës, me të cilën duhet të lidhim një besëlidhje për të ardhmen, duke marrë të njëjtën rrugë dhe duke mbështetur në mënyrë ambicioze dhe jo mbrojtëse zhvillimin Afrikan me masa të tilla si investimi, partneriteti akademik dhe edukimi për vajzat.

Liria, mbrojtja dhe progresi. Ne duhet të ndërtojmë rinovimin europian mbi këto shtylla. Nuk mund të lejojmë që nacionalistët pa zgjidhje të shfrytëzojnë zemërimin e popullit. Ne nuk mund të ecim nëpër gjumë përmes një Evuope të zvogëluar. Nuk mund të mbetemi të përhumbur në punët e përditshme dhe në 'bëje Zot ëndërr!". Humanizmi europian kërkon veprim. Dhe, kudo njerëzit janë duke u ngritur për të qenë pjesë e këtij ndryshimi.

Pra, deri në fund të vitit, le të krijojmë, me përfaqësuesit e institucioneve europiane dhe shtetet anëtare, një Konferencë për Europën me qëllim që të propozojmë të gjitha ndryshimet që projekti ynë politik ka nevojë, me mendje të hapur, edhe për të ndryshuar traktatet. Kjo konferencë do të duhet të angazhohet me panelet e qytetarëve dhe të dëgjojë akademikë, përfaqësues të biznesit dhe të sindikatave, udhëheqës fetarë dhe shpirtërorë. Ai do të përcaktojë një udhërrëfyes për BE-në që i përkthen këto prioritete kryesore në veprime konkrete. Do të ketë mosmarrëveshje, por a është më mirë të kemi një Europë statike apo një Europë që përparon, nganjëherë në hapa të ndryshëm dhe që është e hapur për të gjithë?

Në këtë Europë, popujt do të marrin vërtet kontrollin e së ardhmes së tyre. Në këtë Europë, Mbretëria e Bashkuar, unë jam i sigurt, do të gjejë vendin e saj të vërtetë.

Ngërçi i Brexit është një mësim për të gjithë ne. Duhet të ikim nga ky kurth dhe t'i bëjmë zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian dhe projektin tonë kuptimplotë. U takon qytetarëve të Europës të vendosin nëse Europa dhe vlerat e progresit që ajo mishëron duhet të jenë më shumë se vetëm një episod kalimtar në histori. Kjo është alternativa që unë propozoj: të çelim së bashku rrugën e rinovimit europian.

*Përktheu për Politiko: Loneta Progni. Burimi: Project Syndicate. Autori është President i Francës.

Të fundit