Flash News

KRYESORE

Ristani nuk ka hatërmbetje me Bashën: Lista nuk kishte rëndësi sepse loja ishte e pabarabartë

Ristani nuk ka hatërmbetje me Bashën: Lista nuk kishte

Ndonëse Lulzim Basha e vendosi të katërtin në listën e PD-së në Vlorë, pozicion që e la jashtë Kuvendit, Arben Ristani nuk ka hatërmbetje me kryetarin ndonëse preferenca e tij ishte të qëndronte në sulm gjatë fushatës së 25 qershorit dhe jo në mbrotje.

Duke folur për ‘Abc News’, Ristani e konsideroi të pabarabartë garën gjatë fushatës, ndaj në këto kushte e konsideron të parëndësishme taktikën e kryetarit të PD-së.

“Pavarësisht meje, personalisht kam koshiencë partiake, e konsideroj dhe vlerësoj mendimin e kryetarit të partisë sime dhe kam bërë detyrën, siç e bëra, me të gjitha mundësitë dhe forcat e mia. Sigurisht do të ishte më mirë nëse lista do kishte konceptin politik të saj. Këtu do ta ndaja pak përgjigjen ose do ta krahasoja me një ekip futbolli dhe do të thoja që trajneri, në rastin konkret kryetari i partisë, për mua do të ishte më mirë të më kishte vendosur në sulm se sa në mbrojtje dhe këtë e shoh si një gabim në taktikë. Por po të mendosh që ne luanim me kanatiere siç luhet futboll dhe pala tjetër luante me skafandra dhe me shkopinj e robokop, këtu pastaj nuk vlen më të diskutohet taktika e zgjedhur nga trajneri”, është shprehur ish-deputeti demokrat.

Për kritikët ndaj listës dhe ndaj garës për kreun në PD, Ristani sygjeron ndjekjen e rregullave demokratike dhe statutit. Astrit Patozi në platformën e tij kërkon edhe rizgjedhjen e kryetarit brenda 9 muajsh, por Ristani thotë se Basha është legjitim dhe për të çështja e kryetarit është e mbyllur. Forumet janë ato që vendosin për çdo rast.

“Është pjesë e demokracisë në veprim. Kemi patur pretendime që kryetari gjatë hartimi të listave shkeli statutin, e ka pranur dhe mbajtur përgjegjësinë edhe zoti Basha. Por kjo nuk na bën që të kalojmë nga shkelja në shkelje. Duhet patjetër të ecim brenda statutit dhe rregullave që ka partia. Ka patur vendimmarrje në kryesi, janë zhvilluara zgjdhjet për kryetarin e PD, proces që është përfunduar. Sot kemi kryetar legjitim dalë mbi një proces mbi bazën e rregullave dhe statutit. Nuk mund ta fsheh se ka pasur kontestime për procesin, por janë gjëra që duhet të kalojnë po nga institucionet e partisë. Unë këmbëngul tek kjo. Secili ka mendimin e vet personal që është i respektueshëm, ta mbajë e zhvillojë, por pa kaluar nga rregullat e partisë nuk mund të zhvillojmë veprimtari korrekte. Në këto kushte kjo është çështje e mbyllur për mendimin tim. Nëse do ketë vendimmarrje tjera merren nga organet. Për tu mbledhuru ndiqet procedura, në rast se askush nuk ndjek procedurat, por mbeten në kuadrin e shprehjes së mendimeve, mendimet vlerësohen të mira apo të këqija, janë subjektive. Po nuk ece në rrugën proceduriale nuk gjen dot zgjidhje”.

Të fundit