Flash News

KRYESORE

Roma dhe Uashingtoni vlerësojnë propozimin e Komisionit: Tani duhet angazhim më i madh për reformat në Shqipëri

Roma dhe Uashingtoni vlerësojnë propozimin e Komisionit: Tani duhet

Ambasada e Italisë në Tiranë ka shprehur kënaqësinë e saj të thellë për raportin e publikuar sot nga Komisioni Europian, në të cilin rekomandohet hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas njoftimit për shtyp të publikuar në faqen e saj zyrtare, ambasada italiane në Tiranë shkruan se, “bëhet fjalë për njohjen e duhur të reformave të rëndësishme të zbatuara nga vendi si dhe aspiratën legjitime të shtetasve shqiptarë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.”

Ambasada italiane ka shprehur mbështetjen për vendin tonë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se “në qershor hapet rruga drejt miratimit të rekomandimit në Këshillin Europian.”

“Në qershor hapet rruga drejt miratimit të rekomandimit në Këshillin Europian, prandaj do të jetë i nevojshëm tani dhe në të ardhmen një angazhim më i madh në veprimtarinë reformuese të vendit. Mbështetja e fuqishme e propozuar nga Komisioni për negociatat mbi kapitujt që lidhen me shtetin e së drejtës, do të jetë një instrument i dobishëm në mënyrë që rezultatet e arritura deri tani të konsolidohen më tej në të ardhmen e afërt. Italia, e cila gjithmonë ka qenë mbështetëse e hapjes së negociatave me Shqipërinë, do të vazhdojë të mbështesë Tiranën në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian”, thuhet në reagim.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur rekomandimin e Komisionin Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Kështu, Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell  ka uruar Shqipërinë menjëherë pas vendimit të sotëm të Komisionit Europian.

Ai ka pritur në një takim Ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçkën që ndodhet për vizitë në Washington, pak minuta pas deklaratës zyrtare të KE.

“Urimet me te mira! E sotmja një dite për t’u festuar”, ka thënë Mitchell. Sakaq, ai ka vlerësuar kontributin e Shqipërisë në NATO ndërsa ministrja nga ana e saj ka deklaruar se deri ne vitin 2024, 2% e GDP do t’i dedikohet mbrojtjes. Ndihmës sekretari amerikan e ka konsideruar vendin tonë një partner të besueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe një garant i sigurisë në rajon.

“Shqiperia partner i besueshëm i SHBA, garant i sigurisë në rajon”, ka përfunduar ai.

Të fundit