Flash News

KRYESORE

Rreziku nga coronavirusi/ Evakuohet nga Kina shqiptarja e fundit në Wuhan, por sërish s’vjen dot në Shqipëri

Është evakuuar nga Kina, studentja dhe shqiptarja e fundit që qëndronte në Wuhan, epiqendra e coronavirusit qe ka vënë në alarm të gjithë planetin.

Pas dakordësimeve me palën turke, Silva Doçi mori pjesë në operacionin e largimit me avionin ambulant turk dhe sot ka mbërritur në Ankara, njofton ministria e Punëve të Jashtme.

Megjithatë, ndonëse pas ekzaminimeve studentja ka rezultuar negative sa i takon virusit nCOV, udhëtimi i gjatë në një avion me mbi 45 persona të tjerë të evakuuar nga Wuhan, e bën të detyrueshëm qëndrimin e saj në karantinë për 14 ditë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duke e ndjekur me prioritet çështjen e studentes shqiptare, në kushtet e vështira kur askush nuk mund të hynte apo dilte në Wuhan, prej ditësh ka qenë në kontakte me palën turke, duke i paraqitur kërkesën zyrtare për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Ëuhan.

Në vijim të komunikimeve, pala turke u dakordësua që studentja Silva Doçi të udhëtojë në avionin ambulant turk.

Pas përfundimit të procedurave zyrtare me autoritetet kineze për lejimin e largimit të tyre nga Wuhan, avioni nga Kina u nis sot drejt aeroportit ushtarak në Ankara.

Studentja shqiptare, Silva Doçi ka kryer të gjitha testet dhe ka dalë negative për virusin nCOV, por udhëtimi i gjatë në një avion me mbi 45 persona të tjerë të evakuuar nga Wuhan, e bën të detyrueshëm qëndrimin e saj në karantinë. Çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, është i detyruar t`i nënshtrohet një regjimi mjekësor karantine 14 ditor para se të lëvizë lirshëm.

Për këtë fazë evakuimi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdoi kontaktet e pandërprera me Ministrinë e Jashtme turke, me qëllim vijimin e regjimit të karantinës së studentes shqiptare në Turqi, sqaron ministria e Jashtme.

Të fundit