Flash News

KRYESORE

Rritet tvsh-ja në Shqipëri, rritet dhe numri i bizneseve të mbyllura me 45%

Rritet tvsh-ja në Shqipëri, rritet dhe numri i bizneseve të

Në tre muajt e parë të vitit (nga 3 janari deri në 30 mars) kanë kaluar në status pasiv 3652 biznese, sipas listës së përditësuar nga tatimet të subjekteve me status pasiv në vend. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje të ndjeshme me 45% të subjekteve të mbylluara. (Në tre muajt e parë të një viti më parë, numri i subjekteve të mbyllura ishte 2523). Ndërsa në krahasim me tre muajt e parë të 2016-n, numri i subjekteve është dyfishuar (shih grafikun).

Rritja e numrit të bizneseve të mbyllura lidhet me pasojat e krizës dhe formatimit të ekonomisë drejt zinxhirëve të mëdhenj tregtarë, çka po godet subjektet e vogla, por edhe me uljen e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, efektiv që nga 1 prilli. Tatimet njoftuan pak kohë më parë se është konstatuar shtimi i numrit të aplikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit, nga tatimpagues që janë penalizuar për shkelje të ndryshme nga administrata tatimore, që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore si dhe tatimpagues të cilët, për herë të parë, hyjnë në skemën e TVSH-së dhe regjistrime të menjëhershme në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet.

Ndërsa nga një sondazh që Monitor zhvilloi me 100 biznese që kishin kaluar në status pasiv në shkurt 2018, rezultoi se 67% e të anketuarve dhanë krizën si arsye kryesore të mbylljes së biznesit të tyre, duke e argumentuar me rënien e fuqisë blerëse, rritjen e konkurrencës, kostove të larta operative, etj. Prej tyre, 20% e të pyeturve, ose 14% e totalit, u përgjigjën se do të emigronin ose ishin jashtë vendit aktualisht.

Pjesa tjetër e të anketuarve, rreth 33%, dhanë arsye të tjera mbi mbylljen e aktivitetit, nga të cilat mbizotëronin problemet shëndetësore. (Rreth 27% e atyre që dhanë një arsye tjetër përveç krizës, që përbënte 9% të totalit të subjekteve të anketuara, thanë se ishin problemet shëndetësore që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin).

Të vendosur përballë mungesave të alternativave në vend, shumë të rinj, dikur me biznes, kanë gjetur rrugën e emigracionit. Sikurse biznesi, rruga drejt emigracionit nuk merret nga kushdo, prandaj dhe nuk është çudi që individë me shpirtin e sipërmarrjes ndërmarrin nismën për të filluar një jetë të re larg Shqipërisë. (Monitor)

Të fundit