Flash News

KRYESORE

Rudina Hajdari jashtë dhe brenda politikës: Në Amerikë do bëja karrierë; s’e mendova dy herë kthimin 

Rudina Hajdari jashtë dhe brenda politikës: Në Amerikë do

Rudina Hajdari është një ndër deputetet më të reja të Partisë Demokratike. Në fillim u bë e njohur për publikun me fjalimet që mbante te 'Çadra e lirisë', ngritur nga PD në shesh për tre muaj, ndërsa në zgjedhjet e qershorit u rendit nga Basha e treta në listën e kandidatëve të Tiranës.

Në një intervistë për Politiko.al, Rudina Hajdari, në mënyrë koncize, ka folur për kthimin nga Amerika, angazhimin e saj në politikë si dhe për Rudinën jashtë PD-së.

E pyetur nëse është penduar që la Kongresin Amerikan për t’u angazhuar në PD, Hajdari shprehet, “Në  Amerikë do bëja karrierë; ndërsa këtu po luftoj për vendin tim”.

Ndërsa sa i përket mbështetjes së saj më të madhe...lexoni më poshtë.

 

nga Xhuliana Jakimi

 

-Znj. Hajdari, ju jeni ndër deputetet më të reja në Kuvend. Si e morët vendimin për t’u angazhuar në politikë?

Nuk e mendova dy herë. Mora vendimin dhe u ktheva me një qëllim për të kontribuar për vendin tim.

-Latë punën në Kongresin Amerikan për të vijuar karrierën në Shqipëri. A jeni penduar?

Nuk do pendohem asnjëherë, sepse atje do ndërtoja një karrierë, ndërsa këtu po luftoj për vendin tim, për avancimin dhe thellimin e disa të drejtave që akoma i mungojnë shoqërise tonë.

-Kush është politikani që ju mendoni se është shembull për t’u ndjekur?

Është Angela Merkel, pa dyshim.

-Me cilin nga kolegët keni marrëdhënie më të mira (që shkëmbeni dhe këshilla herë pas here)?

Në fakt, me të gjithë kolegët kam marrëdhënie korrekte.

- Çfarë mendimi keni për deputetet femra në PS dhe LSI? Si e vlerësoni angazhimin e tyre në Kuvend?

Varet. Çdo kolege deputete ka veçantinë e saj si individ, po ashtu dhe në angazhimin e saj politik.

-Cili ka qenë ndër momentet më të sikletshme në Kuvend dhe si e keni kaluar?

Nuk kam pasur momente sikleti, por natyrisht kam përjetuar emocione të veçanta për shumë arsye.

-Të qenit e bija e Azem Hajdarit, si ka ndikuar në karrierën tuaj?

Jam krenare që jam bija e tij. Të qenit vajza e një heroi kombëtar, por dhe vajza e një babai që dhuronte aq shumë dashuri, ndikon në çdo aspekt të qënies time.

-Kush ka qenë mbështetja më e madhe në rrugëtimin tuaj?

Ka qenë dhe mbetet familja.

-Sa e vështirë është për një grua të mbajë familjen dhe, njëkohësisht, të angazhohet në politikë?

Eshtë sakrificë, por nëse ke vullnet dhe vendosmëri për t’iu përkushtuar të dyjave duke gjetur një balancë të shëndoshë, ndjen njëkohësisht edhe lumturi.

-Jeni një ndër deputetet që vishet bukur. Kë ndiqni si model dhe cila është veshja më e shtrenjtë e garderobës tuaj?

Mendoj se vishem thjeshtë dhe e përshtas me karakterin tim. Por, pa ndjekur një model.

-Si është Rudina jashtë politikës (si nënë, motër, bijë, shoqe)?

Karakteri im nuk ndryshon. Jam e drejtë, tolerante dhe e dashur me të gjithë.

-Momenti më i veçantë në jetën tuaj?

Në fakt, ka disa momente të veçanta dhe mbeten të tilla vetëm nëse mbeten intime (qesh).

Të fundit