Flash News

KRYESORE

Rusët përfshijnë Shqipërinë në konfliktin e emrit të Maqedonisë, por këto dy propozime nuk janë të Edi Ramës

Rusët përfshijnë Shqipërinë në konfliktin e emrit

Media ruse ‘Sputnik’ ka publikuar një artikull lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë, që po e mban vendin peng në proceset euroatlantike për shkak të vetos nga Greqia.

Në artikull përmendet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që sipas kësaj agjencie, i ka propozuar homologut Zoran Zaev, emrin ‘Maqedonia e Epërme’, gjatë një takimi të përbashkët.

Por në të vërtet, emri ‘Maqedonia e Epërme’ është tashmë propozim i vjetër dhe nuk ka të bëjë fare me Edi Ramën, raporton Politiko.al.

Ky propozim është bërë nga negociatori i OKB-së, Matthew Nimetz në prill të 2013-ës dhe u mbështet fuqishëm nga ish-komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule.

‘Republika e Epërme e Maqedonisë’ u hodh në tryezë pasi Shkupi refuzoi propozimin e mëparshëm të bërë në 2008-ën, ‘Republika e Maqedonisë së Epërme’.

Një tjetër propozim sipas ‘Sputnik’ është edhe emri ‘Republika e Maqedonisë Veriore’, i cili gjithashtu ka kohë në tryezën e bisedimeve dhe nuk lidhet me Ramën.

Përgjatë viteve, Maqedonisë i janë propozuar disa emra, por asnjë nuk është pranuar nga autoritetet në Shkup, përfshi atë të negociatorit grek, Adamantios Vassilakis, që kërkoi emrin Maqedonia sllavo-shqiptare për fqinjin verior.

Emrat e propozuara për Maqedoninë:

-Republika e Epërme e Maqedonisë

-Republika e Maqedonisë së Epërme

-Republika e Maqedonisë Veriore

-Republika e Re e Maqedonisë

-Republika e Maqedonisë së Re

-Republika e Maqedonisë-Shkup

-Maqedonia sllavo-shqiptare

Të fundit