Flash News

KRYESORE

Sa do të ndikojë prishja e marrëdhënieve Francë-Itali në anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Sa do të ndikojë prishja e marrëdhënieve Francë-Itali

Franca ka tërhequr sot ambasadorin e saj në Itali pas shkëmbimeve të ashpra në deklarata midis zyrtarëve të të dyja shteteve.

Kujtojmë që Franca është një nga shtetet skeptike për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa Italia është ndër shtetet që mbështet vendin tonë më fortë në BE.

Tashmë që mes dy shteteve të fuqishme, Francës (skeptike) dhe Italisë (lobuese e fortë e Shqipërisë në BE) marrëdhëniet janë krisur, nuk dihet sesa do të ndikojë marrëdhënia e tyre në vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Kujtojmë që këtë qershor do të vendoset nëse do të çelen negociatat për Shqipërinë në BE. Vitin e kaluar ishin 25 vende që mbështetën hapjen e bisedimeve deri verën e këtij viti, dhe tre vende të tjera, Franca, Danimarka dhe Hollanda që mendojnë se duhet të shtyhet procesi.

Sa i përket debatit Francë-Itali, kulmi i tensionit arriti të martën kur Luigi di Maio dhe Matteo Salvini, dy drejtuesit e Qeverisë italiane, u takuan me përfaqësuesit e ‘Jelekëve të Verdhë’, të cilët protestojnë prej muajsh në rrugët e Francës.

Në një deklaratë për media, Ministria e Jashtme franceze e ka konsideruar sjelljen e italianëve si të paprecedentë, të paktën që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Për disa muaj, Franca ka qenë subjekt i akuzave të përsëritura, sulmeve të pabazuara dhe deklaratave të egra. Kjo është e pashembullt që nga fundi i luftës. Ndërhyrja e fundit është një provokim shtesë dhe i papranueshëm”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Ambasadori francez është thërritur në Paris për konsultime, sipas Ministrisë së Jashtme.

Gjithçka ka nisur me refuzimin e Francës për të pranuar më shumë emigrantë që mbërrijnë në brigjet e Italisë, për të kaluar te akuzat e zyrtarëve italianë se francezët vijojnë të kolonizojnë popujt e Afrikës./Politiko.al/

Të fundit