Flash News

KRYESORE

Sa real është propozimi i Edi Ramës për ‘Konfederatën Shqipëri-Kosovë’? Sot nuk ekziston në botë, eksperimenti i fundit ai midis Serbisë dhe Malit të Zi

Sa real është propozimi i Edi Ramës për

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Ky ishte propozimi i kryeministrit Edi Rama në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë. Por ashtu siç ndodh shpesh me propozimet e Ramës, edhe ky i fundit nuk kishte një afat kohor apo më shumë detaje për mënyrën se si do të realizohet.

Një president i përbashkët, politikë e jashtme dhe politikë e përbashkët e sigurisë janë të gjitha tipare të një sistemi shtetëror të përbërë, i quajtur ndryshe Konfederatë.

Konfederata përbëhet nga dy ose më shumë shtete sovrane me disa të drejta të kufizuara (ekonomike, politike) dhe krijohet nëpërmjet një traktati. Konfederata ka për qëllim bashkëpunimin e shteteve në politikën e jashtme, mbrojtjen dhe tregtinë e brendshme, deri në realizimin e një monedhe të përbashkët. Nëse një shtet kërkon të dalë nga Konfederata, ai mund ta bëjë këtë në çdo kohë, raporton Politiko.al.

Me krijimin e Konfederatës, shtetet bien dakord të krijojnë një qeveri të përbashkët, e cila ka funksion kryesisht ceremonial dhe vendimet mund t’i marrë vetëm në unanimitet dhe jo me shumicë votash. Në disa raste themelohet institucioni i presidentit të Konfederatës. Shtetet anëtare të Konfederatës kanë pavarësi të plotë nga njëra-tjetra.

Konfederatat janë përdorur kryesisht si një proces i ndërmjetëm drejt kalimin në Federatë apo në një shtet unitar.

Sot, në sistemin ndërkombëtar nuk ekziston asnjë rast i Konfederatës, ndonëse në të shkuarën kanë ekzistuar disa. Në të kaluarën disa bashkësi të cilat kanë pasur disa veçori të konfederatës kanë qenë Lidhja Gjermane (1814-1866), Lidhja e Amerikës Veriore(1778-1787), Lidhja Zvicerane (prej shek. XIII-1848) etj.

Përpjekja e fundit për ekzistencën e një Konfederate ka qenë ajo midis Serbisë dhe Malit të Zi, por që zgjati vetëm tre vite. Nga viti 2003 deri në 2006, Beogradi dhe Podgorica krijuan ‘Bashkimin Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi’. Si Konfederatë, këto dy vende kishin të përbashkët politikën e jashtme, mbrojtjen dhe një president me shumë pak funksione. Të njëjtat kompetenca për të cilat Rama foli në Kuvendin e Kosovës.

Ndonëse ishin pjesë e një Konfederate, Serbia dhe Mali i Zi nuk kishin ekonomi dhe monedhë të përbashkët. Çështje që nuk u përmendën gjithashtu në propozimin e Edi Ramës.

Më 21 maj të 2006-s, malazezët në Mal të Zi, të mbështetur nga pakica shqiptare, votuan në referendum 55.5% në favor të shkëputjes nga Konfederata. Dy vite më vonë, Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Serbia.

Duke qenë se mungojnë rastet e suksesshme në botë të një Konfederate dhe eksperimenti i fundit midis Serbisë dhe Malit të Zi dështoi, nga kryeministri Rama kërkohen më shumë sqarime nëse e sheh Konfederatën Shqipëri-Kosovë si proces të ndërmjetëm të kalimit në një Federatë apo edhe më shumë, në një shtet unitar. Në të kundërt, u jepet të drejtë shumë analistëve në Prishtinë dhe në Tiranë të cilët e konsiderojnë deklaratën e kryeministrit shqiptar jo si projekt real, por si presion ndaj Brukselit për të mos patur surpriza në vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë./Politiko.al

Të fundit