Flash News

KRYESORE

Sa serioz ka qenë procesi i analizës në PD, Fatbardh Kadilli tregon rezultatet e 3 muajve: Janë emërtuar gabimet dhe përgjegjësit

Sa serioz ka qenë procesi i analizës në PD, Fatbardh Kadilli

Sekretari për Burimet Njerëzore në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli tregon rezultatet e deritanishme të procesit të analizës në partinë e djathtë. Përmes një interviste në gazetën Panorama, Kadilli sqaron se grupi i punës i ngritur për të mbledhur propozimet për ndryshimet statutore dhe forcimin e PD ka marrë në shqyrtim të gjitha platformat.

Sipas tij, ky proces ka qenë shumë serioz dhe se ka emërtuar në tre muaj analizë problemet dhe përgjegjësit, duke filluar nga kryetari Basha.

“Procesi i analizës ka qenë shumë serioz. Në të gjitha degët demokratët për rreth 3 muaj u përfshinë në një diskutim të ndershëm, të hapur dhe kurajoz. Vetëm në një proces të tillë mund të pohohet e vërteta, sado e hidhur, e zhvillimeve politike brenda dhe jashtë PD. Vetëm në një proces të tillë kritika merr kuptim se bëhet jo vetëm për të pohuar, por edhe për të ndrequr gabimet dhe defektet.

Analiza ka emërtuar jo vetëm gabimet, por edhe përgjegjësit duke filluar nga kryetari i partisë e duke përfunduar te kryetari apo anëtari i seksionit. Çdo degë ka provuar raportin e vet dhe ka nxjerrë detyra dhe propozime. Vlera reale e analizës qëndron pikërisht këtu, te aftësia për të reflektuar dhe për të korrigjuar. Kjo mbetet për tu parë e për tu vlerësuar”, u shpreh Fatbardh Kadilli, duke sqaruar se prova e parë e këtij procesi është Kuvendi Kombëtar që pritet të zhvillohet më 28 dhe 29 prill, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

Të fundit