Flash News

KRYESORE

Saimir Tahiri aspak entuziast jashtë ‘Krimeve të Rënda’: Mbas Aldo Bares, jam i dyti me këto akuza; procesi është politik

Saimir Tahiri aspak entuziast jashtë ‘Krimeve të

Ndryshe nga herët e tjera, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk doli aspak entuziast dhe energjik nga godina e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Aty ish-ministrit iu komunikuan tre akuzat që rëndojnë mbi të: “trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “shpërdorim detyre”.

Duke folur për gazetarët, Tahiri u përpoq të ironizojë kur tha se mbas Aldo Bares, ‘i forti’ i Lushnjes, është personi i dytë në Shqipëri me këto akuza. Ai akuzoi se procesi që po zhvillohet është i motivuar nga politika dhe krimi.

“Mbas Aldo Bares jam i dyti me këtë akuzë. Nuk është se ka ndonjë surprizë të madhe, prokuroria e komanduar siç e nisi ashtu e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda për t’u marrë me këtë histori, nuk dua të merrem me drejtësinë dhe dua ta respektoj deri në fund. Komenti im është se do i shkoj drejtësisë deri në fund dhe duke besuar. Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç'është edhe ati, i biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po i shoh”, tha Tahiri.

I pyetur për provat e reja të prokurorisë, ish-ministri deklaroi: nuk kam parë asnjë, do i shoh në vazhdim.

Më tej, ish-ministri shtoi: “Mua nuk më frikëson gjë përveç të vërtetës. Nuk më intereson se çfarë bën prokuroria, më intereson vetëm e vërteta dhe fuqia që kam vetë për t’i shkuar deri në fund. Unë di që ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, unë jam mësuar me vështirësi nuk besoj se do e kem problem, do ia dal edhe kësaj.”

Ish-ministri Tahiri akuzohet se ka favorizuar bandën e Habilajve në Vlorë në trafikun e kanabisit drejt Italisë.

Trinomi që po e lufton, Tahiri mban qëndrim për fjalët e Edi Ramës: Nuk më duhet mbështetja e askujt

Të fundit