Flash News

KRYESORE

Saimir Tahiri në arrest shtëpie, BE ka një qëndrim ndryshe nga SHBA: Prezumimi i pafajësisë të mos harrohet!

Saimir Tahiri në arrest shtëpie, BE ka një qëndrim ndryshe

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda për të lënë në arrest shtëpie ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri është përgëzuar nga Bashkimi Europian.

Përmes një komunikate, BE-ja shkruan se përgëzon punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit, por nga ana tjetër bën apel që të pritet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjeve, pasi prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore.

“Bashkimi Evropian përgëzon punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe zhvillimet e fundit pozitive lidhur me hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërsa rikujton se prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore, Bashkimi Evropian gjithashtu shpreh pritshmërinë e tij që autoritetet shqiptare ta vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.”, thuhet në njoftim.

Deklarata e BE-së duket e ndryshme nga qëndrimi zyrtarë i SHBA, e cila përmes Ambasadës Amerikane theksoi se vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata. Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend. Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve te Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda”, shkruhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Të fundit