Flash News

KRYESORE

Saimir Tahiri nuk heq dorë nga imuniteti i deputetit: Prokuroria të hetojë çdo akuzë; janë kushërinjtë e 10-të

Saimir Tahiri nuk heq dorë nga imuniteti i deputetit: Prokuroria të

Ndonëse tha se refuzon çdo lloj imuniteti, Saimir Tahiri nuk pranon të përballet me prokurorinë si qytetar i thjeshtë, duke ruajtur mbrojtjen që i jep statusi i deputetit. Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Tahiri kërkoi nga prokuroria të hetojë akuzat që kanë rënë së fundmi mbi të, pas përmendjes së emrit nga Moisi Habilaj dhe trafikantë të tjerë droge të arrestuar në Itali.

Tahiri refuzoi të merrej me akuzat e opozitës, që sipas tij, po shfrytëzojnë pallavrat e dy kriminelëve. Sa i përket shitjes së makinës personale te familja Habilaj, Tahiri e konsideroi gabimin e tij të madh dhe të vetëm.

Pjesë nga fjalimi i Tahirit:

Sot më shumë se kurrë, secili që më njeh mua, përfshirë familjen time, miqtë, apo kushdo qoftë që më njeh pak, është i shtangur nga lajmet që bëhen publike. I kuptoj mediat dhe portalet, herë me pyetje dhe herë me akuza, të cilat presin përgjigje ndaj meje. Falënderoj të gjithë ata që më kanë shkruar dhe më kanë kontaktuar dhe ata që punojnë akoma me mua.

Siç kuptoj edhe kundërshtarët e mi, në opozitë dhe jo vetëm, të cilët për herë të parë dhe të fundit nuk do i sulmoj dhe nuk do i akuzoj sepse sot është dita e tyre të shfrytëzojnë pallavrat e dy kriminelëve që mburren për njohjet që kanë.

I bindur se sa e madhe qoftë gënjeshtra, e vërteta është aty.

Unë kam mbajtur detyrën e Ministrit të Brendshëm për më gjatë se kushdo përpara meje, duke mos u dorëzuar nga sulmet e kundërshtarëve që kisha përballë dhe krah meje.

Nga sot pres me padurim të dalë e vërteta në dritë të diellit si e vetmja rrugë për të patur besim te njëri-tjetri.

Unë jam përpjekur me çdo punonjës policie, duke punuar me ta, dhe duke besuar te forca e pashtershme e djemve dhe vajzave që parpara se të merrja detyrën unë, ishin viktimat e para të krimit.

Përpara deputetit, unë kam mbrojtur policin, përpara çdo pronari mediesh dhe pushtetari, unë kam mbrojtur policin.

Të mbrosh policin e di që ka patur vështirësi. Kam humbur mundësinë për kompromise me njerëz të pushtetshëm, të cilët kam dashur t’i kem përballë dhe jo në krah.

Unë jam ende i bindur se detyra që kisha nuk ishte detyrë si të tjerat, por ishte detyra e jetës. Bashkë me skuadrën që drejtoja arritëm jo pak në luftën kundër krimit.

Sot është një ditë jo e lehtë për mua, në raport me veten, me moralin tim, me familjen time, me tim bir mbi të gjitha.

Dy kriminelë që janë kushërinjtë e mi të shkallës 10, janë arrestuar dhe nuk kanë hezituar të përmendin emrin tim. Pa asnjë diskutim nuk do doja të isha kurrë në këtë pozitë, por unë menjëherë do të kërkoj nga prorkuroia, pa përfituar nga asnjë lloj imuniteti politik të cilin e refuzoj, të hetojë çdo akuzë.

Kam bërë gabimin e madh dhe të vetëm, që gati katër vite më parë u kam shitur makinën personale. Ndoshta duhet të kisha bërë verifikime se kujt ia shita makinën.

Përtej kësaj, nuk kam asnjë përgjegjësi më shumë dhe dënoj çdo veprimtari kriminale.

Shpresoj që policia t’i hetojë deri në fund dhe gjykata t’i dënojë në bazë të ligjit.

Të fundit