Flash News

KRYESORE

Saimir Tahiri nxjerr një letër nga Katania: Nuk ka asnjë procedim ndaj meje; Saimiri në përgjime nuk jam unë

Saimir Tahiri nxjerr një letër nga Katania: Nuk ka asnjë procedim

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka nxjerrë një letër nga Prokuroria e Katanias ku rezulton se nuk ka asnjë procedim penal ndaj tij në Itali. Tahiri ka zbatuar sërish planin e mazhorancës për të krijuar një ‘Saimir të ri’, i cili është kamionist dhe jo ish-ministër i Brendshëm. Sipas deputetit, në përgjime nuk bëhet fjalë për të, pasi ai nuk mund të ishte edhe bosi edhe hamalli i grupi kriminal.

Pjesë nga fjala e Tahirit:

Nuk është e re që ndaj meje po bëhet paralelisht gjyqi juridik dhe gjyqi publik dhe politik, ku deputetë dhe analistë kanë marrë pushkën duke hedhur baltë ndaj meje duke më bërë herë fajtor dhe herë viktimë. Mua nuk më intereson asgjë nga këto. Nëse politikës i ka ardhur rasti që llumin e 25 viteve ta hedh mbi mua, për ata që nuk kanë lë gjë pa vjedhur nga xhepat e qytetarëve, u them rrini pa asnjë merak, unë do e përballoj edhe këtë. Analistëve u them rrini pa merak se unë do e kalojë edhe këtë. Por nëse ka një shteg për të dalë e vërteta për njerëzit, unë do të jem aty.

Sot për mua nuk ka asnjë rëndësi debati publik dhe debati politik, por e vërteta e shenjtë e ime. As nuk dua të ma falë të drejtën njeri dhe as të jem peng i ndokujt.

Unë sigurova këtë dokument, i cili thotë se sa i përket shtetasit Saimir Tahiri nuk rezulton të ketë pasur procedim penal nga Prokuroria e Katanias. Pra prokuroria e Katanias që ka hetuar për katër vite këtë grup për të cilin prokuroria shqiptare thotë se unë jam pjesë, nuk ka gjetur asnjë lidhje me mua.

Si ka mundësi që prokuroria jonë me letra të bëra publike në media, kërkon arrestimin tim.

Në ato përgjime flitet për një Saimir që ka kamione dhe merret me thasë droge, kaq të vështirë e kishte Prokuroria të kuptonte se nuk bëhet fjalë për mua, sepse unë nuk mund të jem edhe bosi i bandës dhe hamalli i tyre.

Nëpërmjet avokatëve i kam kërkuar Prokurorisë që të zhvillojë intensivisht dhe pa ndërprerje hetimin ndaj meje. Unë nuk kam kohë për të humbur për të shkuar te e vërteta.

Të fundit